Shkelje në tenderin 110 milionësh

Shkelje në tenderin 110 milionësh

Tenderi mbi 110 milionësh për vazhdimin e autostradës për Gjilan, i shpallur në mënyrë të kundërligjshme dhe me shkelje të shumta ligjore nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, është kthyer në rishqyrtim nga ky institucion.

Pas aprovimit të ankesave të të dy operatorëve ekonomikë me pretendime për shkelje në dosjen e tenderit, kjo Ministri ka bërë të ditur se do ta rishikojë dosjen dhe të premten do ta publikojë atë të përmirësuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky tender ishte pezulluar përkohësisht, pas ankesave që kishin paraqitur operatorët ekonomikë “2A Group” dhe “Jaha Company”, më 24, përkatësisht më 28 janar. Të dy këta operatorë kanë paraqitur pretendimet për shkelje të nenit 7 të Ligjit të Prokurimit Publik që ka të bëjë me barazinë në trajtim, nenin 68 për gjendjen ekonomike dhe financiare, nenin 69 për aftësinë teknike dhe profesionale dhe nenin 71, që ka të bëjë me grupet e operatorëve ekonomikë dhe operatorët e huaj ekonomikë.

“Dosja e Tenderit është duke u përmirësuar, por për shkak të volumit të madh dhe rishikimit të saj në tërësi, Dosja e tenderit e përmirësuar, do të publikohet të premten më datën 7 shkurt 2020”, thuhet në njoftimin për operatorët ekonomikë, të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës.

COMMENTS

WORDPRESS: 0