Shënohet pacienti i parë që u prek nga ethet e minjve, është në gjendje të rëndë shëndetësore

Shënohet pacienti i parë që u prek nga ethet e minjve, është në gjendje të rëndë shëndetësore

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve për të pasur kujdes ndaj etheve të minjve. Ata kanë njoftuar se këtë vit, një pacient është në gjendje të rëndë.

“Duke pasur parasysh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve. Këtë vit, një rast i raportuar nga Klinika Infektive është në gjendje të rëndë klinike”, thuhet në deklaratë.

Burimi i infeksionit janë minjtë, ndërsa sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt.

“Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, vijon njoftimi.

Trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës janë tri mundësi se si mund të marrim ethet. Ndërsa trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se pacienti paraqitet me kohë. Po qe se të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës, janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

IKSHP-ja ka paraqitur edhe masat parandaluese:

  1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
  2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretimet e brejtësve.
  3. Përpunimi termik i artikujve ushqimorë të dyshimtë
  4. Frutat e pyllit të mos konsumohen pa u pastruar
  5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe të mos konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
  6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim i brejtësve
  7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
  8. Mos hidhni mbeturina kudo
  9. Të bëhet klorimi i ujit të pijshëm
  10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
  11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretimet e brejtësve.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: