Selimi: S’kemi Kuvend funksional, zgjedhjet na shpëtojnë

Selimi: S’kemi Kuvend funksional, zgjedhjet na shpëtojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, tashmë janë të domosdoshme. Kjo pasi që sipas tij, në Kuvendin e Kosovës, është krijuar një situatë e re, për shkak se seancat e thirrura nga vetë pushteti janë duke dështuar për shkak të mungesës së deputetëve që janë në koalicion qeverisës

Përmes një statusi në Facebook, Selimi thotë se Kuvendi i Kosovës tashmë është jofunksional. Ai shton se tashmë zgjedhjet nuk janë vetëm të nevojshme, por të domosdoshme.

“Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, përtej asaj që janë të nevojshme, tash janë edhe të domosdoshme. Ka kohë që deputetët e Kuvendit thirren në seanca në të cilat partitë e koalicionit asnjëherë nuk ia kanë arritur t’i mbledhin deputetët e tyre as për votime me shumicë të thjeshtë. Deri tash, ky fakt tregonte që qeveria nuk e ka mazhorancën në parlamentare. Por tash, kur thirret seanca, sikur ajo e javës së kaluar, dhe anulohet vetvetiu në mungesë të deputetëve të mazhorancës, atëherë kemi të bëjmë me një situatë të re të krijuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Selimi.

Ai shton se në situata të tilla, zgjedhjet janë e vetmja nisje drejt zgjidhjes.

Ka kohë që Kosova nuk ka Kuvend funksional, por që nga java e kaluar, kur edhe deputetët e mazhorancës nuk i përgjigjen seancave, kjo i bie që koalicioni qeverisës ka hequr dorë nga Kuvendi.

Praktikisht, Kosova nuk e ka organin më të lartë ligjvënës.

Në situata të tilla, vetëm zgjedhjet e menjëhershme janë nisje drejt zgjidhjes. Sipas Selimit, zgjedhjet janë i vetmi shpëtim për Kosovën.

“Kështu që, nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë shpëton Kosova nga kjo qeveri e korruptuar por edhe vetë partitë e koalicionit do të përfitonin duke e ndalur kusarinë e militantëve partiakë në institucione dhe ndërmarrje publike. Nëse shkojmë në zgjedhje tani, shpëton Kosova nga koalicioni i korrupsionit por po ashtu shpëtojnë edhe partitë e koalicionit qeverisës nga kusarët e tyre të korruptuar nëpër institucione”, ka shkruar Selimi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0