Selimi: Heqja e taksës do ta kthente Kosovën në pozicion edhe më të keq

Selimi: Heqja e taksës do ta kthente Kosovën në pozicion edhe më të keq

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se punësimet politike, familjare dhe klanore janë vetëm një nga arsyet e shumta që Kosova nuk e meriton të udhëhiqet nga qeveria aktuale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se sa më shpejt që të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme aq më shumë do të shpëtojmë nga ajo që tashmë po i shkaktohet Kosovës.

“Shpeshherë pyetemi se a duhet të bjerë qeveria për shkak të taksës ndaj Serbisë. Natyrisht se përgjigjja jonë është se ka arsye të tjera pse qeveria duhet të bjerë. Një ndër arsyet se përse Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve është edhe keqqeverisja deri në degradim”, ka thënë Selimi, duke shtuar se shkuarja në zgjedhje të reja dhe ndryshimi edhe i mënyrës së qeverisjes me një frymë tjetër shtetbërëse, është zgjidhja e vetme.

Duke folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe presionit ndërkombëtar për pezullimin e kësaj takse, deputeti Selimi ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej që ndaj Serbisë të aplikonte reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Sipas tij, taksa do të mundë të ishte vetëm një nga veprimet e Kosovës për aplikim të këtij reciprociteti.

“Kosova e ka ndërmarrë tashmë veprimin e aplikimit të taksës. Heqja e kësaj mase do ta kthente Kosovën në pozicion edhe më të keq sesa që ishte në ditën kur nuk kishte taksë. Prandaj, pavarësisht prej dilemave të dikujt ose kundërshtimeve, qoftë të Thaçit dhe të Serbisë, taksa duhet të qëndrojë”, ka thënë Selimi.

Në këtë intervistë Selimi ka folur edhe për Ligjin për Dialogun me Serbinë, ku Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me LDK-në, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka ritheksuar se Lëvizja Vetëvendosje i kundërshton negociatat me Serbinë si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë juridik.

Selimi ka thënë se në përputhje me këtë qëndrim kanë kundërshtuar edhe Projektligjin për dialogun të sponsorizuar nga partnerët dhe aleatët e koalicionit qeverisës.

“Në kuadër të veprimeve tona, këtë ligj tashmë e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese për arsye se i njëjti shkel nenet thelbësore të Kushtetutës së Republikës që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Në ndërkohë, ky ligj krijon një organ jokushtetues siç është i ashtuquajturi delegacioni shtetëror për negociata me Serbinë dhe i njëjti i mbivendoset Kuvendit dhe Qeverisë. Prandaj, të drejtën ekskluzive për politikën e jashtme e ka dhe duhet ta ruajë Qeveria, njëkohësisht Kuvendi që e mbikëqyr atë. Po ashtu, pushteti ka tentuar që këtë ligj t’ua mbivendosin marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Selimi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0