SBASHK-u kërcënon me dërgim të rastit në Bruksel nëse detyrohen t’i kompensojnë orët e humbura

SBASHK-u kërcënon me dërgim të rastit në Bruksel nëse detyrohen t’i kompensojnë orët e humbura

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës, Rrahman Jashari, ka deklaruar se nëse ankesa e tyre në Gjykatën e Apelit nuk do të merret parasysh, ata do ta dërgojnë çështjen edhe në Bruksel, për shkak se ky është rasti i parë në botë ku kërkohet kompensimi i orëve të grevës, dhe kompensimi i orëve do të thotë që greva do ta humbte tërësisht kuptimin e saj.

“Nëse Gjykata e Apelit, vendos kundër ankesës sonë, ne do të shkojmë në të gjitha shkallët e drejtësisë në Kosovë, madje nuk e përjashtojmë rastin që lëndën ta dërgojmë në Bruksel, ku është Qendra e Unionit të Sindikatave të Evropës, dhe të kërkojmë mbështetje nga ata. Ky është rasti i parë në botë kur ata që marrin pjesë në grevë, obligohen qoftë me akte juridike, qoftë përmes gjykatave, që t’i zëvendësojnë orët e humbura në grevë, e në këtë mënyrë, greva do ta humbte tërësisht vlerën e saj” tha Jashari për Gazetën Express.

Jashari gjithashtu shtoi se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka vendosur në bazë të dokumenteve të cilat nuk janë valide, e madje që janë të kohës së UNMIK’ut.

“Po bëjmë ankesë, ngase po konsiderojmë që Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bazuar në ato që kemi insistuar, dhe asnjë ligj në botë, e as ligji për grevat, nuk e obligon kompensimin e orëve të humbura…e madje është vendosur në bazë të dokumenteve të cilat nuk janë valide, që janë edhe pjesë e kohës së UNMIK’ut” tha Jashari.

Ai po ashtu, tha se greva nuk ka qenë politike, dhe nuk është bërë për hatrin e askujt.

“SBASHK’u është it ë gjithëve, mbase vetë politika mundohet për qëllime të veta ta gjuaj SHBASHK’un dhe grevën…por ne po bëjmë përpjekje për të drejtën tonë” shtoi ai. “Nuk po e bëjmë këtë rezistencë as për kryeministrin, as për hatrin e tij, as për hatrin e Veselit, e as ministrit Bytyqi.

Jashari tha se çështja e orëve tani më për ta është e mbyllur, dhe SBASHKU do të veprojë në bazë të Këshillit Drejtues të SBASHK’ut, i cili është se nuk do të kompensohen orët e humbura.

Javën e kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës, refuzoi padinë e SBASHK’ut, ndaj vendimi të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për kompensimin e orëve të humbura. /GazetaExpress/

COMMENTS

DISQUS: 0