Sami Lushtaku ftohet për intervistim mga Gjykata Speciale

Sami Lushtaku ftohet për intervistim mga Gjykata Speciale

Ish-Komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, është ftuar për intervisim nga Gjykata Speciale. Kështu ka njoftuar avokati i tij, Arianit Koci.
“Me autorizimin e klientit tim z. Sami Lushtaku, ju njoftoj se z. Lushtaku ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim”, ka thënë Koci.

“Z. Lushtaku do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar. Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë z. Lushtaku rreth kësaj çështjeje”, ka shtuar Avokati i tij.

Ish kryetari i Skenderajt ka qenë i dënuar edhe në Kosovë për krime lufte. Por ai ishte liruar nga akuzat me një vendim të Gjykatës Supreme që e shfajësoi atë.

Sami Lushtaku është figura e tretë e rëndësishme e UCK’së që është konfirmuar se do të intervistohet nga Haga, nga gjithsej gjashtë sa janë ftuar deri më tani, raporton Gazeta Express.

Përveç Lushtakut, avokati Arianit Koci javën e shkuar ka konfirmuar se edhe klienti tjetër i tij Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është njëri prej të thirrurve nga Haga.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0