Rukiqi: Vendimi për organizimin e dasmave do të merret në varësi të situatës epidemiologjike

Rukiqi: Vendimi për organizimin e dasmave do të merret në varësi të situatës epidemiologjike

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka folur për organizimin e ahengjeve, dasmave dhe dëmet ekonomike në zinxhirin e ofruesve të shërbimeve të lidhura me organizimin e tyre.

Kur u njoftua se për shkak të pandemisë do të anulohen dasmat dhe ahengjet, Rukiqi ka deklaruar se ka pranuar dhjetëra kërkesa dhe ankesa nga persona të cilët janë të lidhur me këtë fushë.

Rukiqi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se organizimi i dasmave dhe ahengjeve pa dyshim është një ndër hallkat e rëndësishme të qarkullimit monetar që krijohet në ekonominë e Kosovës.

Sipas tij, gjatë muajve të verës, organizimi i ahengjeve ndërlidhë mijëra kompani dhe individë të cilët një pjesë të konsiderueshme të stabilitetit financiar dhe mbijetesës në biznes e kanë të lidhur me këto organizime.

“Pra nuk janë vetëm sallat e dasmave, por janë edhe tregtia me shumicë, tregtia me pakicë, patundshmëria, bizhuteritë, muzicientet, shërbimet estetike, sektori i veshmbathjeve, fotografet, kameramanët, etj. Gjithashtu edhe një pjesë e mirë e vizitave të diasporës është e lidhur me pjesëmarrjen në ahengjet familjare”, ka shkruar ai.

Ai thotë se plani i largimit të masave kufizuese nuk e parasheh largimin e kufizimit për organizim të ahengjeve dhe dasmave në 3 fazat e para, por as nuk nënkupton që në këtë fazë ka vendim që nuk do të organizohen fare. Sipas tij, vendim do të ketë në varësi të situatës epidemiologjike.

“Nëse situata epidemiologjike dhe masat përcjellëse, sidomos distanca sociale që do të na përcjell për një kohë më të gjatë, që praktikisht e pamundëson mbledhjen e një numri të madh të njerëzve në një vend, atëherë duhet të ulemi me të gjithë akterët e lartcekur dhe të bëjmë një plan për: mundësitë e kompensimit të dëmeve, shtyrjen e kontratave me klientët, lehtësirat tatimore, programimet e borxheve te krijuara për kostot fikse”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka shtuar se nga java tjetër do të takojë persona të kësaj fushe për të diskutuar për situatën në të cilën po kalojnë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0