Rukiqi: Për OEK-un viti 2019 do të jetë vit i luftës kundër informalitetit

Rukiqi: Për OEK-un viti 2019 do të jetë vit i luftës kundër informalitetit

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në konferencën përmbyllëse për vitin 2018 për media tha se viti 2019 do të jetë i fokusuar në luftimin e informalitetit në vend.

“Do të avancojmë strukturat të cilat promovojnë ekonominë tonë sidomos investimet dhe eksportet. Për herë të parë do të kemi konferencë ndërkombëtare për tregun e punës për të diskutuar rreth vendeve të punës në mënyrë që të shohim se nga duhet të orientohemi. Viti 2019 për Odën do të jetë vit i luftës kundër informalitetit. Informaliteti është sfidë për të gjithë, edhe kompanitë më të zhvilluara janë të interesuara që të ketë treg të barabartë”.
I pari i OEK-ut ka folur edhe për rritjen ekonomike, për çka tha se reformat e ndërmarra në këtë sektor kanë ndikuar pozitivisht, por, ai tha se kjo rritje nuk është e qëndrueshme pasi është e varur nga remitancat dhe jo nga zhvillimi i sektorit privat. “Rritja ekonomike në 4.2 për qind nuk është e qëndrueshme pasi nuk mbështetet nga zhvillimi i sektorit privat. Ne duhet të zvogëlojmë varësinë ndaj remitancave dhe rritja duhet të mbështetet në sektorin privat”

Rukiqi ka folur edhe për vendimin e qeverisë për taksën 100 për qind. Ai tha se ky vendim ka ndikuar në ngritjen e vetëdijës së qytetarëve mbi produktet vendore.

“Për taksën 100 për qind, po konsiderohet që në 80 për qind të qytetarëve ka ndiku në rritje të vetëdijes për produktet tona. Si ngritje e vetëdijes kisha me e cekë që shumë kompani tona kanë ri-orientu aktivitetet e tyre për mundësitë apo për alternativat nga vendet e tjera dhe që nuk janë prodhime serbe. Pas taksës qeveria ka arsye që të gjejë resurse në promovim të eksporteve. Pavarsisht që kemi një numër të madh të brendeve ndërkombëtare që sado pak çojnë sinjale për investime, ne mbesim vendi me më së paku investime të huaja direkte. Ka vite që kërkojmë që Kosova të ketë pushime tatimore dhe subvencionime të vendeve të punës”.

Ai gjithashtu ka folur edhe për nevojën e ngritjes së kapacitetevetë reja energjetike në vend, pasi bizneset janë ato që më së shumti po e pësojnë mungesën e stabilitetit për energji elektrike.

“Pavarsisht kostos që do të ketë ndërtimi i termocentralit “ Kosova e Re” është tejet i rëndësishëm për stabilitetin energjetik në vend. Çasja e Bankës Botërore ka qenë joserioze, sepse e ka mbajtë projektin peng për dy dekada” përfundoi Rukiqi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0