Rrugëtimi plot skandale i kryespiunit Shpend Maxhuni

Rrugëtimi plot skandale i kryespiunit Shpend Maxhuni

Shpend Maxhuni nuk është më shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Dorëheqjen e paarsyetuar nga posti që e pati marrë para një viti e gjysmë ia ka dorëzuar të mërkurën kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.

Skandali me deportimin e gjashtë “gylenistëve” nga autoritetet kosovare pa respektim të procedurave ligjore pati lënë AKI-në pa kryeshef. Në të njëjtën ditë me dorëheqjen e Maxhunit, dy nga “gylenistët” e deportuar nga institucionet kosovare janë dënuar me nga 15 vjet burgim nga një gjykatë e Turqisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Driton Gashi, që atë kohë mbante pozitën e shefit të AKI-së, kishte dhënë dorëheqje. Nga posti ishte larguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, për shkak që deportimi ishte ndihmuar nga Policia e Kosovës dhe AKI-ja. Ndërsa shefi i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ishte avancuar në pozitën e shefit të institucionit, të cilën të mërkurën e ka braktisur. Gazeta ka provuar ta kontaktojë të mërkurën Maxhunin në telefon për të mësuar arsyet e dorëheqjes, por ai nuk ka pasur qasje në rrjet.

Shpend Maxhuni u largua nga pozita e institucionit më të lartë të sigurisë kombëtare në kohën kur pritet të formohet qeveria e re, që do të udhëhiqet nga partia fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje. Ky subjekt në shumë paraqitje publike e pati cilësuar Maxhunin njeri të afërt të presidentit Thaçi

Dorëheqja e Maxhunit, i cili ka gati një dekadë në Polici e AKI, nga kryeministri Haradinaj është përcjellë me “Medaljen e Skënderbeut” dhe me lëvdatat për profesionalizëm dhe besnikëri ndaj atdheut. Megjithatë, rrugëtimi i Maxhunit në këto institucione është shoqëruar me shumë skandale.

COMMENTS

WORDPRESS: 0