Rritet për 4.2% deficiti tregtar

Rritet për 4.2% deficiti tregtar

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2018.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.2 për qind në muajin nëntor 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 240,2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 230,5 milionë euro në vitin 2017. Eksporti mbulon importin (12.6 për qind).

“Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2018 kishte vlerën 34,7 milionë euro, ndërsa importi 274,9 milionë euro, ku është një rritje prej 15.4 për qind për eksport dhe një rritje prej 5.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017”, ka njoftuar ASK-ja.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.4 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 12.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.4 për qind e përbëjnë prodhimet bimore; 3.8 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.2 për qind e përbën tekstili dhe artikujt prej tij etj.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9 për qind e përbëjnë prodhimet minerale; 12.2 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.9 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.3 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.8 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.4 për qind e përbën tekstili dhe artikujt prej tij; 6.0 për qind e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike etj”.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10,4 milionë euro, ose rreth 30.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.6 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.5 për qind), Holanda (4.2 për qind), Sllovenia (3.6 për qind), dhe Italia (3.0 për qind).

Kurse, Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 126,0 milionë Euro, ose 45.8 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.0 për qind), Italia (5.1 për qind), Greqia (4.1 për qind), Franca (3.7 për qind), Sllovenia (3.5) etj.

“Në muajin nëntor 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15,3 milionë euro, ose 44.3 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.6 për qind). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.6 për qind), Maqedonia (10.5 për qind), Serbia (8.3 për qind), dhe Mali i Zi (6.9 për qind)”.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin nëntor 2018 arritën në 55,8 milionë euro, ose 20.3 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-23.6 për qind). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7.4 për qind), Serbia (5.6 për qind), Maqedonia (5.5 për qind) dhe B&H (1.1 për qind).

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8,8 milionë Euro, ose 25.5 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (14.3 për qind) dhe Zvicra (7.8 për qind)”, thekson ASK në një njoftim për media.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 93.0 milionë Euro, ose 33.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.2 për qind) dhe Kina (10.3 për qind).

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0