Rreth 1.5 milion euro gjoba ndaj partive politike dhe mijëra ankesa

Rreth 1.5 milion euro gjoba ndaj partive politike dhe mijëra ankesa

Rreth 1 milion e 500 mijë euro janë shqiptuar gjoba ndaj partive politike gjatë proceseve zgjedhore 2009-2017, teksa prej vitit 2000 deri në 2017 janë parashtruar 29 mijë e 730 ankesa dhe apele në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa

Këto të dhëna u bënë publike sot në promovimin e dokumentit të historikut të këtij institucioni që përfshinë të dhëna prej organizimit të parë të zgjedhjeve në vitin 2000, e deri te zgjedhjet e vitit 2017.

Nga këtu u tha se këto të dhëna do t’i shërbejnë forcimit dhe përmbushjes së kredibilitetit të procesit zgjedhor.

Kryetarja e Panelit të PZAP-së, Gyltene Sylejmani theksoi nevojën e këtij institucioni në procese zgjedhore dhe u zotua në përmirësimin, rritjen e efikasitetit dhe transparencës në rastet e ankimimit.

Derisa i paraqiti edhe disa nga sfidat e tyre që kanë të bëjnë me periudhën e shkurt të ankesave, parashtrimin e keq të tyre, si dhe keqpërdorimin e identitetit të votuesve nga jashtë. Ndërsa, shefi i OSBE-së në Kosovë, që ka kontribuar në publikimin e këtij raporti, Jan Braathu duke vlerësuar procesin e fundit zgjedhor në Kosovë si më të mirin në rajon, tha se ky publikim është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë civile në përmirësimin e procesit zgjedhor dhe vet këtij institucioni.

Brathuu po ashtu e vlerësoi shumë institucionin e PZAP-së, duke e konsideruar si transparent dhe kredibil.

PZAP është organ i pavarur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili merret me rastet e ankesave dhe apeleve të partive politike gjatë proceseve zgjedhore./kp

COMMENTS

WORDPRESS: 0