Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi dënohen me mbi 6 vjet burg

Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi dënohen me mbi 6 vjet burg


I akuzuari për mashtrim, Rrahim Hashimi, është dënuar me tre vjet e nëntë muaj burg.

Kurse, i akuzuari tjetër për të njëjtën vepër penale, Kadri Rexhepi, është dënuar me tre vjet burg.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi janë shpallur fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit.

Në kuadër të këtij dënimi, atyre u është llogaritur koha e kaluar në paraburgim, që nga 30 maji 2019, deri më 26 shkurt 2020.

Ata janë ngarkuar edhe shpenzimet e procedurës penale, secili veç e veç, për paushallin gjyqësor në shumë prej 150 euro, ndërsa fondin për viktimat e krimit në shumë prej 30 euro.

Kurse, pala e dëmtuar, përkatësisht Faton Dalladaku, është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore juridike.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi, në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, prokurorja Rukije Shashivari kishte bërë rikualifikimin e veprës penale të mashtrimit nga neni 335, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, në veprën penale të mashtrimit nga neni 261, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 28 të Kodit të përkohshëm Penal të Kosovës, pasi është më i favorshëm për palët në procedurë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

COMMENTS

WORDPRESS: 0