Rezoluta për roaming me Shqipërinë, implementimi në tërësi në 2021-n

Rezoluta për roaming me Shqipërinë, implementimi në tërësi në 2021-n

Marrëveshja për heqjen e roamingut mes Kosovës dhe Shqipërisë ka nisë së zbatuari pjesërisht nga 15 qershori i këtij viti.

Me rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës të iniciuar nga Partia Socialdemokratike, kërkohet për heqjen e tërësishme të tarifave të roamingut, por kjo do të ndodhë vetëm pas datës 31 korrik 2021.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare(ARKEP), Kreshnik Gashi në një intervistë për KosovaPress, pohon se ka nis të zbatohet marrëveshja e përbashkët e arritur në nëntor të vitit të kaluar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë për reduktimin gradual dhe heqjen e plotë të tarifave roaming.

“Në fakt rezoluta flet për heqjen e tarifave të roamingut, por qytetarët duhet ta kenë parasysh se ku do që udhëtojnë duhet të lidhen me rrjetet e vendeve në të cilin udhëtojnë. Mirëpo, heqja e plotë e tarifave do të ndodhë më datën 31 korrik të vitit 2021. Megjithatë prej tash deri më këtë datë do të kemi tarifa të reduktuara në masën rreth 90 përqind. Kjo ka qenë zgjidhja që është ofruar sigurisht pas konsultimeve me operatorët, por edhe me qëllim të zbatimit të marrëveshjes në formën e tillë që do t’i mundësonte qytetarëve që të përfitojnë dhe janë zbritur tarifat që nga 15 qershori i këtij viti”, thotë Gashi.

Gashi thotë se çmimet roaming ndërmjet këtyre dy shteteve janë ulë për rreth 90 pëqind. Ai ka treguar edhe për çmimoren e telefonisë në bazë të kësaj marrëveshjeje.

“Nga data 15 qershor i këtij viti, ka filluar reduktimi i tarifave roaming në Kosovë dhe në Shqipëri nga të gjithë operatorët, edhe të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe tanimë kemi një reduktim prej rreth 90 përqind nga çmimet ekzistuese. Kemi një tarifë shtesë prej tarifës lokale, që është rreth 5 cent për telefoninë për ata që udhëtojnë në Shqipëri, ndërsa për thirrjet e pranuara tarifa është 4 cent për minutë, që është një çmim relativisht i arsyeshëm me një reduktim prej rreth 90 për qind nga tarifat ekzistuese për qytetarët që kanë udhëtuar në Shqipëri dhe anasjelltas”, theksoi se Gashi.

Autoritetet rregullative respektive të Kosovës dhe Shqipërisë në zbatim të marrëveshjes ndër qeveritare që kanë nxjerrë vendimet tyre, kanë konsultuar operatorët dhe tanimë këto vendime janë në fuqi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0