Rekomandohet larja e duarve kundër koronavirusit, por në QKUK s’ka shampon

Rekomandohet larja e duarve kundër koronavirusit, por në QKUK s’ka shampon

Në kohën kur bota po përballet me koronavirusin vdekjeprurës Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë disa rekomandime se si duhet të mbrohemi nga kjo sëmundje.

Një prej masave që mund të na mbrojë më së miri nga ky virus sipas OBSH-së dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, është larja e shpeshtë e duarve me sapun brenda ditës.

Por në vendin ku do të duhej të kishte sapun apo shampon për t’i pastruar duart, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk ka sapun, shampon dhe as letër për tharjen e duarve. Kjo situatë po i ekspozon stafin mjekësor jo vetëm ndaj koronavirusit, por edhe ndaj viruseve dhe infeksioneve tjera.

“Nuk ka shampon as palloma. Po detyrohemi me i fshi duart me uniformen tonë”, thotë një infermiere e QKUK-së e cila nuk dëshiron t’i përmendet emri.

Në anën tjetër QKUK ka deklaruar për Gazetën se lënda për furnizim me këto dy materiale ka qenë në Organin e Shqyrtimit Publik për shkak të ankesave dhe së shpejti pritet të furnizohen. Ndërkaq në KRPP janë publikuar dy kontrata me vlerë minimale nën 1 mijë euro për furnizim me letër për tharjen e duarve dhe shampon.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka ndarë 400 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim me materiale dhe medikamente të nevojshme kundër koronavirusit. Deri më tani ende nuk dihet se me çfarë janë furnizuar klinikat me këto mjete.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: