Reçica: MPMS-ja ka mision uljen e papunësisë

Reçica: MPMS-ja ka mision uljen e papunësisë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka marrë pjesë në hapje të Panairit të Punës në Prizren, event ky i përbashkët i MPMS-së me Komunën e Prizrenit dhe GIZ-in gjerman.

Ministri Reçica ka thënë se ky panair synon të krijojë dhe ofrojë vende të reja të punës dhe të sjellë më afër punëdhënësit dhe punëmarrësit, për të mundësuar krijimin e kontakteve të ndërsjella.

“MPMS-ja ka mision përkrahjen e krijimit të vendeve të reja të punës, uljen e papunësisë, aftësimin profesional dhe orientimin në karrierë të të rinjve, të garantojë të drejtat dhe obligimet e punëdhënësve dhe punëmarrësve, për çka ne tashmë kemi ndërmarrë disa veprime, posaçërisht nëpërmjet reformave për përmirësim dhe avancim të infrastrukturës ligjore”, ka deklaruar Reçica.

Sipas ministrit Reçica me ndryshimet e domosdoshme ligjore, po synohet jo vetëm rritjen e punësimit, por mbi të gjitha, garantimin e të drejtave të punëtorëve.

“Në këtë pikë, unë dhe dikasteri që drejtoj do të jemi gardian i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të punëtorëve dhe u bëj thirrje të gjithë punëdhënësve dhe bizneseve të respektojnë të drejtat e punëtorëve, të garantuara me legjislacionin në fuqi”, është shprehur ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0