Reagojnë bizneset, në hall me reduktimet e rrymës

Reagojnë bizneset, në hall me reduktimet e rrymës

Edhe 18 vjet pas luftës dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike. Si duket kjo gjendje e rëndë e furnizimimit të rregullt me energji elektrike më së shumti po dëmton biznesin vendor. Ata problemin me energji elektrike vazhdojnë ta shohin si një ndër top barrierat kryesore për zhvillimin e biznesit të tyre.

Gani Ferizi nga kompania “ApetitGroup” ka thënë për EkonomiaSot se për shkak të ndërprerjeve të paparalajmëruara të rrymës, ndodh që i tërë prodhimi del me defekt, dhe si pasojë këto produkte nuk mund të plasohen në treg.

Ai thotë se ndërprerja e rrymës shkakton defekte edhe në makinat të cilat përdoren për prodhim.

“Është shumë e vështirë sepse makinat janë me software ashtu që nuk e duan të ndërpritet rryma, ndalja e rrymës shkakton problem tek i tërë prodhimi dhe paketimi, ne nuk mund ta plasojmë në treg paketimin me defekt” tha ai.

Për pronarin e kompanisë “FRUTEKS”, Shaqir Palushi, zgjidhja e problemit të energjisë elektrike nga ana e qeverisë së Kosovës do të duhej të ishte më me prioritet se ndërtimi i asfaltit.

“Mendoj që për Qeverinë e Kosovës do të duhej të ishte prioritet zgjidhja e problemit sepse kjo është më e rëndësishme sesa ndërtimi i infrastrukturës rrugore” ndërkaq sa i përket ndërprerjes së rrymës ai thotë se problemet janë të shumta, raporton EkonomiaSot.

“Problemet me energjinë elektrike për kompaninë tonë janë pothuajse të përditshme gjatë gjithë vitit, kurse këto ditë me rënien e temperaturave këto reduktimet janë shpeshtuar. Problemet janë shumë dimensionale të cilat shkaktojnë dëme në procesin e prodhimit duke i rritur humbjet në kompaninë tonë, në anën tjetër rritet kostoja sepse prodhimi me gjenerator është më i shtrenjtë. Zakonisht kur ka intervenime ka paralajmërime por shumica e ndërprerjeve janë pa paralajmërim”, përfundoi Palushi.

Ndërsa Burim Piraj pronar i kompanisë “MEKA” përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se dëmet nga reduktimet e energjisë elektrike janë shumë më serioze se sa mendohet nga institucionet e vendit.

Sipas tij kjo gjëndje jo vetëm që dëmton biznesin por edhe është shkaktar i mos-stabilitetit social në vend.Ai i mbanë përgjegjës përfaqësuesit politik që gjatë fushatave zgjedhore kanë premtuar se do ta zgjidhin problemin e furnizimit me energji.

“Në 2018 Kosova po përjeton reduktime të rrepta të energjisë elektrike!
Dëmet janë shumë më serioze se që po mendojnë institucionet vendore!
Në 2018 Kosova ka afërsisht 1 milion qytetarë më pak se në vitin 1999!
A do të duhej që numri i banorëve të ishte mbi 3 milion më 2018 nga shtimi i popullatës dhe nga kthimi i bashkatdhetarëve që përkohësisht jetojnë jashtë Kosovës”

Që nga paslufta bizneset kanë shpenzuar 58 milionë euro për blerjen e gjeneratorëve duke mos i llogaritur edhe shpenzimet për derivate, kjo sipas të gjeturave nga OEK-u.

Aktualisht Kosova po përballet me një disbalanc tregtar. Një ndër top vendet të cilat eksportojnë produktet e tyre në vendin tonë është Serbia, e cila vetëm gjatë vitit 2017 ka eksportuar 450 milionë euro produke në Kosovë. Kjo paraqet një rritje prej 16% krahasuar me vitin 2016, gjë që është tejet shqetësuese. / EkonomiaSot.com

COMMENTS

WORDPRESS: 0