Ramadani: FSK-ja po transformohet me aleatët, nuk është kundër askujt

Ramadani: FSK-ja po transformohet me aleatët, nuk është kundër askujt

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë se pas datës 14 dhjetor FSK-ja do të marrë mandat ushtarak dhe mbrojtës dhe do të veprojë brenda territorit të Republikës së Kosovës sipas kërkesave dhe nevojave të sigurisë. Procesi i transforimit të FSK-së në ushtri është bërë në mënyrën më transparente të mundshme dhe në koordinim më të gjithë aleatët e Kosovës; kjo ushtri nuk po bëhet për inat të askujt, as në Kosovë e as në Ballkan. Ramadani thotë se faktori politik është unik sa i përket datës kur do të votohet për ushtrinë. Sa i përket tensionimit të mundshëm të situatës në këtë ditë, ai thotë që atë ditë gjithçka do të shkojë në rregull, pasi këtë do ta garantojnë institucionet e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in.
Gazeta Express: Çfarë do të jetë saktësisht ushtria e Kosovës, pas votimit që pritet të bëhet më 14 dhjetor ?

Burim Ramadani: Forca e Sigurisë së Kosovës e ndërron misionin dhe mandatin, duke marrë mision dhe mandat ushtarak dhe mbrojtës, dhe si e tillë me tri ligjet që kalojnë, duke përfshirë edhe ndryshimin e emrit të ministrisë dhe riorganizimin e saj, Kosova do të ketë institucionin e vet ushtarak dhe mbrojtës që quhet FSK derisa përmbushja e kapaciteteve të veta do të merr kohë më shumë, do të merr disa vjet sipas planit gjithëpërfshirës, që ne kryesisht i referohemi si plani 10 vjeçar. Pra do të marr dhjet vjet për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale që të kryej detyrat në formë profesionale.

Gazeta Express: Pasi që ushtria nuk po bëhet përmes ndryshimeve Kushtetuese, por po bëhet përmes këtyre tre ligjeve, cili është dallimi në mes të kësaj ushtrie që do të krijohet më 14 dhjetor dhe asaj që do të mund të formohej përmes ndryshimeve Kushtetuese ?

Burim Ramadani: Unë besoj që është fatkeqësi ndërhyrja nga jashtë. Ka ndikuar që të mos kemi mundësin e ndryshimit të Kushtetutës. Sepse përmes ndryshimit të Kushtetutës, do të ndryshonim emrin në Forca të Armatosura të Kosovës dhe do të arrinim që të ketë konsensus të të gjitha komuniteteve që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Ky ka qenë qëllimi i ndryshimeve kushtetuese. Por kjo ka qenë e pamundur nga veto që është përdorur nga jashtë Kosovës. Në aspektin përmbajtjesor FSK-së nuk i ndryshohet emri pra quhet Forca e Sigurisë së Kosovës, ndërsa në aspektin përmbajtjesor nuk ndryshon asnjë element, prej asaj që ka qenë plani gjithëpërfshirës i transformimit. Dhe si e tillë FSK-ja do të ketë kapacitete të plota të institucionit ushtarak vetëmbrojtës, në suazat e aftësive të Kosovës, qofshin buxhetore , qofshin njerëzore, qofshin kapacitete tjera, sepse po e ndërtojmë, respektivisht po fillojmë ndërtimin e FSK-së me mision ushtarak dhe mbrojtës. Që do të jetë një institucion i vogël profesional, multietnik, kredibil, lehtësisht i lëvizshëm, për të kryer detyrat e veta që i përshkruhen në Kushtetutë dhe ligje.

Gazeta Express: Kur flisni për ndërhyrjet nga jashtë, për kë saktësisht e keni fjalën?

Burim Ramadani: Ndërhyrjet nga jashtë janë pasur nga politika e Serbisë, dhe mund të shkojnë deri në influencën armiqësore ruse. Sepse kemi pasur edhe statistikisht të dhëna të mjaftueshme, të këtyre ndërhyrjeve, qofshin publike, qofshin jopublike, që realisht kanë paraqit për vite të tëra një veto të jashtme brenda proceseve legjitime të Kosovës. Ne bashkë me partnerët strategjik ndërkombëtar, kemi pasur parasysh që veto e jashtme për proceset e brendshme në Kosovë është e pa pranueshme dhe si e tillë kemi bërë përpjekje që ta shmangim këtë veto, duke integruar komunitetet në Kosovë. Duke tentuar që të kemi angazhim të përbashkët për ndryshime kushtetuese. Por se ka ardhur një moment, në të cilin vetoja e tillë nuk është pa dhe nuk shihet si diçka që ne të gjithë duhet t’i nënshtrohemi.

Gazeta Express: Saktësisht, cili do të jetë misioni dhe cili do të jetë armatimi që ushtria e Kosovës do ta ketë pas 14 dhjetorit?

Burim Ramadani: FSK-ja në mandatin e ri do të ketë katër detyra themelore: Mbrojtja e territorit të vendit, mbështetja për autoritete civile, mbështetja qendrore, dhe pjesëmarrja në operacione paqësore. Si të tilla këto do të ndërtojnë kapacitete e FSK-së në një proces transparent dhe gradual. Duhet largu ekzagjerimin, dhe hera e herës edhe folklorin. FSK-ja merr mandat ushtarak mbrojtës, ndërkaq kapacitete për këtë mandat, do të marrin kohë. Sepse ato janë çështje që nuk mund të ndërtohen për një kohë shumë të shkurt. Sistemi i armatimit dhe sistemi i pajisjeve do të jetë në përputhje të plotë me standardet e NATO-s, sepse kështu është ndërtuar FSK-ja deri tash. Do të jetë sistem i ndërveprusehëm me partnerët strategjik dhe vendet e NATO-s, dhe do të jenë në përputhje me mundësitë buxhetore dhe mbështetjen e partnerëve. Nuk mund të disbalancojmë buxhetin e Kosovës për shkak të investimeve në programin e mbrojtjes apo në FSK, por do të ketë rritje graduale të investimit, që në fund të fundit e bënë FSK-në një institucion profesional dhe kredibil.

Gazeta Express: Si e komentoni qëndrimin e fundit të NATO-s dhe mos unitetin brenda NATO-s për krijimin e ushtrisë së Kosovës?

Burim Ramadani: Ne kemi pas aktivitet të planifikuara gjatë gjithë vitit për komunikimin e jashtëm dhe të brendshëm. Në aspektin e jashtëm kemi pas kampanjë informuese, pothuajse më shumë se gjysmën e shteteve të NATO-së, Sigurisht që nuk kemi arritur të gjitha, kjo është edhe pamundësi në rastet të caktuara me shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën. Por se kemi informuar një numër të madh të partnerëve dhe brenda NATO-s, dhe si e tillë po ashtu në kuadër të kësaj, kemi qenë edhe në selinë qendrore të NATO-së, ndërkaq kampanja informuese do të vazhdojë edhe me tutje. NATO e cila ka kontribut të jashtëzakonshëm dhe ekzistencial për Kosovën gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve, është e mirëseardhur të qëndroj në Kosovë për gjithë jetën, pra në mënyrë permanente, edhe pse Kosova e ka qëllimin final, anëtarësimin në NATO. Por në të njëjtën kohë, NATO dhe përfaqësuesit e saj në kuptimin e organizatës, përfaqësojnë qëndrime të përbashkëta të shteteve anëtare. E kur nuk ka qëndrime të përbashkëta, iu kthehen qëndrimeve të mëhershme. Sikurse ka qenë qëndrimi i vitit 2014. NATO për shkak të mënyrës se vendimmarrjes konsensuale, pra secili anëtar brenda NATO-s ka drejtë vetoje, nuk ka arrit që të krijojë konsnesus për të ndryshuar qëndrimin, respektivisht edhe për ndryshimin e mandatit dhe misionit të FSK-së, ne do të kemi qëndrimin e më hershëm të NATO-s, që po ashtu është qëndrim pozitiv . Do të ketë bashkëpunim, KFOR-i do të jetë në Kosovë ani pse është mision tjetër. NALT mbetet në Kosovë, besojmë që do të mbeten edhe në programin e bashkëpunimin e zgjeruar dhe programet tjera. Nuk është çështje që duhet ngritët konfuzion. Ne kemi mbështetje të jashtëzakonshme të partnerëve, dhe gjithashtu mirëkuptojmë qëndrimet e NATO-s në këtë periudhë, duke synuar që të ndërtojmë raport formal, dialog formal me NATO-n, që të kemi mundësi të shpjegojmë më shumë. Pra aty ku kemi arritur të shpjegojmë procesin e transformimit të FSK-së dhe plane te Kosovës kemi marrë mbështetje dhe kjo garanton që procesi do të vazhdojë në formë të sigurt.

Gazeta Express: Gjermania ka shprehur të njëjtat shqetësime sikurse NATO për ushtrinë, a është shqetësues ky fakt?

Burim Ramadani: Unë mund të them që Gjermania është njëra prej kontribuesve kryesor për ngritjen e FSK-së. Ne kemi vazhdimisht punë të përbashkët me Gjermaninë dhe Qeverinë Gjermane e Ushtrinë Gjermane. Dhe si e tillë mund të them që kemi mbështetje për proces legjitim dhe gradual. Nuk kemi pasur asnjëherë dilema në rritjen e bashkëpunimit bilateral. Një mbështetje e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund vlerësoj se mund të kemi situata në të cilat shtete si Gjermania kanë pasur hezitime për procesin.

Gazeta Express: Hezitimin e tyre NATO dhe Gjermania e kanë arsyetuar me frikën për tensionim të situatës ditën e 14 dhjetorit?

Burim Ramadani: Nuk besoj që indikacionet mund të dërgojnë një konkludim i tillë, për shkak të bashkëpunimit me partnerët, dhe misionin e KFOR-it, dhe në të njëjtën kohë edhe për shkak të qartësisë së këtij procesi, tranzicionit të FSK-së. As nuk është kundër kujt, e as nuk është për inati të kujt në Kosovë apo në rajon. Është vetëm një vendim politik në këtë rast i ligjeve, i cili mundëson fillimin e tranzicionit dhe ky do të zgjatë për një periudhë jo të shkurtër kohore.

Gazeta Express: A ka koordinim ndërmjet institucioneve që datën e 14 dhjetorit të shkojë gjithçka siç duhet?

Burim Ramadani: Është dëshmuar se tranzicioni i FKS-së ka krijuar një konsensus kombëtar gati deri në unanimitet. Kemi pasur vetëm një subjekt minoritar që ka mbajtur qëndrime të një shtetit tjetër të jashtëm. Në pjesën tjetër të brendshme ka pasur jashtëzakonisht gjithëpërfshirje edhe në mbështetje por edhe aspektin konceptual.

Ka bashkërendim edhe të analizës së situatës por edhe të veprimeve, që 14 dhjetori, votimi i ligjeve të jetë një ditë e rregullit. Pavarësisht se vendime të tilla merren njëherë në jetë, ajo ditë është e rregullt për Kosovën. Sepse gjithçka duhet shkojë dhe do të shkojë sipas mënyrës së përditshme të jetës.

Gazeta Express: Duke i njohur qëndrimet e Serbisë, a besoni se gjithçka do të shkojë në rregull atë ditë?

Burim Ramadani: Sigurisht që ka pas ngritje të tensioneve, qoftë në deklarata qoftë në narrativ. Qoftë edhe në veprime tjera, sikurse që ka qenë presioni dhe kërcënimet ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, Por Kosova bashkë me partnerët ndërkombëtar, edhe me KFOR-in është këtu për të garantuar sigurinë e qytetarëve, komuniteteve dhe gjithë territorit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0