Qytetarëve u jepet mundësia për dorëzimin e dëshmive lidhur me procesin e privatizimit

Qytetarëve u jepet mundësia për dorëzimin e dëshmive lidhur me procesin e privatizimit

Kryesuesi i Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e privatizimit në Kosovë, Hajrulla Çeku, sot mbajti konferencë për media në lidhje me punën e deritanishme të Komisionit.

Gjatë konferencës u prezantua përmbledhja e punëve të realizuara në fazën fillestare të punës hetimore dhe u publikua mundësia për të dorëzuar dëshmi nga palët e treta.

Komisioni Hetimor ka mbajtur mbledhje të rregullta në baza javore, ku janë marrë disa vendime. Fillimisht është miratuar plani i punës për periudhën gjashtëmujor,e ku janë përcaktuar fazat e punës hetimore dhe veprimet konkrete.

Kryesuesi Çeku tha se gjatë kësaj faze fillestare, Komisioni ka miratuar grupin e parë të dëshmitarëve, ndërsa intervisimet do të nisin nga 12 tetori.

“Në grupin prej gjithsej 21 dëshmitarëve, bëjnë pjesë ish-ministra përgjegjës për privatizimin, ish-kryesues dhe anëtarë të Bordeve të AKM-së dhe AKP-së, drejtorë dhe ish-drejtorë menaxhues, si dhe ish-zyrtarë të UNMIK-ut, përgjegjës për privatizimin. Në grupin e dytë të dëshmitarëve do të jenë pronarët e kompanive që kanë privatizuar ndërmarrjet shoqërore, ekspertë, gazetarë, ish-punëtorë dhe të tjerë që do të vlerësohen nga anëtarët e Komisionit“, theksoi Çeku.

Ai shtoi se Komisioni gjithashtu ka angazhuar katër ekspertë të jashtëm, të cilët do të ndihmojnë në punën hetimore, ndërsa një numër i madh i dokumenteve dhe provave nga AKP-ja dhe institucionet e tjera, janë grumbulluar deri në këtë moment.

Përfshirja e qytetarëve në punën hetimore ishtë pikë e veçantë e konferencës për media. Kryesuesi Çeku tha se nga dita e themelimit të Komisionit është vërejtur interesim i madh i qytetarëve, kryesisht ish-punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore, për të ndihmuar punën hetimore përmes dorëzimit të dëshmive. Për këtë arsye, ai tha se Komisioni ka vendosur të hapë një dritare komunikimi me palët e treta, duke i ftuar të gjithë që kanë dëshmi të vlefshme që do të ndihmojnë punën hetimore që ato t’i dorëzojnë zyrtarisht.

“Komisioni ka ofruar dy mundësi për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët, e para përmes formës fizike në adresë të Kuvendit të Kosovës, për vëmendjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e privatizimit në Kosovë, dhe e dyta, përmes adresës elektronike në [email protected]. Me rëndësi për t’u sqaruar është se komisioni nuk ka mandat të ofrojë zgjidhje për rastet individuale të kontesteve, por këto raste mund t’i konsiderojë si dëshmi eventuale që ndihmojnë punën hetimore dhe raportin përfundimtar“, theksoi Çeku.

Kryesuesi i Komisionit u bëri thirrje të gjitha mediave, organizatave dhe të interesuarve të tjerë që të përcjellin nga afër punën e komisionit, sidomos gjatë fazës së intervistimit të dëshmitarëve.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0