Qytetarët i shpëtojnë izolimit 7 ditor pas kthimit nga deti për shkak të përplasjeve në Qeveri

Qytetarët i shpëtojnë izolimit 7 ditor pas kthimit nga deti për shkak të përplasjeve në Qeveri

Kryeministri Avdullah Hoti dështoi t’i pajtojë ministrat në ekzekutivin që ai udhëheq lidhur me propozimin e izolimit një javor të të gjithë personave që kthehen nga Shqipëria. Kjo çështje mbeti vetëm propozim, e nuk u dërgua as për votim në mbledhje të Qeverisë, pas mospajtimeve që patën partitë e koalicionit, AAK’ja e Nisma, raporton Gazeta Express.

Përveç me dialogun, partive që janë pjesë e koalicionit qeverisës janë duke iu dalë probleme edhe me atë se si po menaxhohet situata me pandeminë.

Kritika të shumta në drejtim të kryeministrit Avdullah Hoti ka pasur kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, që është edhe partneri kryesor i LDK’së në Qeverisje.

Haradinaj ka kërkuar nga Hoti që të gjejë një zgjidhje për mbajtjen e dasmave, e posaçërisht për gastronominë, duke kritikuar vendimin për mbyllje pas orës 21:00.

Kryeministri Hoti unitet te ministrat nuk arriti që të gjejë as për propozimin e bërë dy ditë më parë, në mesin e masave preventive për përhapjen e pandemisë.

Ani pse u propozua që Qeveria të votojë që të gjithë ata që kthehen nga Shqipëria të izolohen për një javë në shtëpitë e tyre, kjo shpërfaqi edhe një herë mospajtimet që ka brenda ekzekutivit.

Të parët që reaguan ishin nga AAK’ja e Haradinajt. Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook tha se nuk do të votonte një propozim të tillë.

Madje, sipas Haradinajt, propozimet për shtim të masave duke kërkuar testin negativ në kufi me Shqipërinë, janë absurde.

“Është një numër i madh i qytetarëve tanë që veçse janë në Shqipëri, dhe në mungesë të testeve, është krejt absurde të vetë izolohen rreth 100,000 qytetarë, pa asnjë bazë. Logjika e izolimit total kufitar, ka sjellur vetëm dëme, sidomos për ata që kanë nevojë për trajtim shëndetësor jashtë Kosovës! Unë do të votoj KUNDËR këtij propozimi. Masat e rekomanduara nga IKSHP, duhet të respektohen maksimalisht nga qytetarët, por jo të izolohemi e të thellohet edhe më tej kriza. Higjienë, distancë dhe maskë! Kaq e thjeshtë”, shkroi dje Haradinaj.

Pos AAK’së, reaguan edhe nga Nisma Socialdemokrate. Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj tha se nuk mund të merret një vendim i tillë pa u koordinuar edhe me Shqipërinë.

“Në asnjë mënyrë nuk mundemi me marr ne si Qeveri vendim të njëanshëm. E kam kundërshtuar dhe nuk del ai vendim”, ka dhënë Balaj-Halimi.

Derisa ky vendim dështoi të marrë pajtim që të hidhet në votim, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj udhëtoi për në Tiranë, ku u  prit nga homologia e tij, Ogerta Manastirliu.

Ai tha se me ministren janë koordinuar lidhur me çdo veprim që do të merret nga dy shtetet.

“Ky takim ka qenë në mes dy ministrave të fushës për t’u koordinuar për çdo veprim që ndërmerret nga qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi koordinuar që kontrollet të bëhen në pikat kufitare në mënyrë që të kemi evidenca për hyrje dhe dalje”, ka thënë Zemaj.

Qeveria e Kosovës mbrëmë ka marrë një varg të masave të reja. Në mesin e tyre ndërkaq nuk është ajo që detyron qytetarët të izolohen një javë në shtëpi pas kthimit nga Shqipëria.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0