Quni: Taksa parandaloi marrëveshjen Thaçi – Vuçiq, por nuk duhet t’i prishim raportet me SHBA-në

Quni: Taksa parandaloi marrëveshjen Thaçi – Vuçiq, por nuk duhet t’i prishim raportet me SHBA-në

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, thotë se vendimi për taksën u mor për ta goditur Serbinë, e cila edhe parandaloi marrëveshjen e Thaçit me Vuçiqin. Por konsideron se taksa nuk duhet të shkojë aq larg sa t’i prishë raportet Kosovë – SHBA. Çështja e shkëmbimit të territoreve nuk duhet të hapet, kjo do të rihapte plagë ende të pashëruara. Dialogu udhëhiqet nga Thaçi, ndërsa grupi negociator i shërben vetëm për dekor, shprehet Quni në një intervistë me shkrim për Gazetën Express

Quni flet edhe për rrëzimin e mundshëm të Qeverisë “Haradinaj”, për përplasjen virtuale Thaçi-Haradinaj, përçarjet brenda LDK-së. Tregon nëse ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale. Në fund pyetet edhe për vendimin e partisë së tij për të mos e votuar Ligjin për Buxhetin në seancën e nesërme në Kuvendin e Kosovës.

Lexojeni intervistën të plotë me deputetin e LDK-së, Anton Quni:

Gazeta Express: LDK-ja disa herë ka bashkëqeverisur me PDK-në. Herën e fundit kur kryeministër ishte z. Mustafa, kujtojmë atë seancën e Kuvendit kur PDK-ja votoi pro mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë, pjesë e së cilës ishte edhe vetë. Njohësit e çështjeve politike po përmendin se e njëjta gjë po e pret edhe Haradinajn. A do ta votonit ju si LDK (ose personalisht) një mocion të mundshëm votëbesimi për rrëzimin e Ramush Haradinajt nga pushteti?

Anton Quni: E kaluara na mëson se tanimë janë thyer të gjitha normat dhe standardet se si ngrihen koalicionet por edhe si ato bien. Tani askush askënd nuk mund ta akuzojë se kush me kë bën aleancë, ose modalitetet si bien qeveritë. Vlerësimi gjeneral i LDK-së është se qeverisja e tanishme vetëm sa e ka përkeqësuar stabilitetin politiko-ekonomik të Kosovës. Dhe përderisa në e gjykojmë një qeverisje të tillë dhe të bindur se LDK-ja është oferta më e mirë për qytetarët, atëherë nuk ka asnjë dilemë se ne insistojmë që të bëjmë ndryshime. Modalitetet e rrëzimit të Qeverisë janë çështje të cilat vlerësohen gjatë evoluimit të situatave.

Gazeta Express: Çështja e taksës është një nga temat më të diskutuara. Haradinaj po vazhdon të jetë rezistent ndaj thirrjeve për heqjen e saj. Ajo që nuk u rezistoi thirrjeve të SHBA-së duket se është PDK-ja e Veselit, të cilët pasi i dhanë mbështetje të fuqishme në fillim, tashmë kërkojnë pezullimin e saj. A duhet hequr taksa pa ndonjë kompromis dhe a besoni se kjo do ta dëmtonte jo vetëm Haradinajn, por edhe Kosovën, nëse lëshon pe aq lehtë dhe a vërtet besoni se ndonjëherë Kosova dhe SHBA-ja mund të acarojnë raportet, pasi siç e dimë ata kanë një pjesë të madhe të hises për projektin e Kosovës si shtet i pavarur?

Anton Quni: Është obligim i çdo lideri të mirë që para çdo nisme ndër të tjera të vlerësojë mirë se sa i ka të qëndrueshëm aleatët. Ja që situatat e vështira na bëjnë të mësojmë se çdo nismë duhet të jetë e menduar mirë, e posaçërisht kur brenda një koalicioni raportet nuk janë të sinqerta. Mendoj se taksa e ka parandaluar marrëveshjen H. Thaçi – A. Vuçiq, por nuk duhet të shkojë aq larg që t’i prishë marrëdhëniet Kosovë – SHBA. Pra, ajo është ideuar si goditje ndaj Serbisë dhe nuk guxon të përfundojë si goditje ndaj relacioneve ekzistenciale të Kosovës me aleatë. Në proceset, kur vendimet e Qeverisë nuk janë shumë popullore dhe jo aq të mbështetura nga partnerët strategjikë, nuk duhet marrë për turp të kërkohet ndihma nga LDK-ja, e posaçërisht në këto momente të veçanta për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Edhe oponentët politikë duhet të pajtohen me faktin se LDK-ja me përvojën 29-vjeçare është partia më e besueshme në politikat e ndërtimit të shtetit dhe forcimit të miqësisë me BE-në dhe SHBA-në. Prandaj, si e tillë duhet të trajtohet si aset kombëtar dhe assesi sa për të bërë numër para akteve të kryera. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për unitet dhe unifikim të politikave. Por kjo arrihet vetëm duke qenë të sinqertë me njeri-tjetrin dhe duke iu bindur fakteve dhe argumenteve.

Dhe në fund, të mos harrojmë përkeqësimin e raporteve në mes SHBA-së dhe Francës që ndodhi para disa viteve përkundër një aleance tradicionale qindravjeçare. Ne nuk jemi Franca, jemi shumë më të vegjël.

Gazeta Express: Pas përplasjes Thaçi – Haradinaj, reaguan edhe shumë kolegë tuaj të partisë. Si e shihni ju këtë përplasje, kush duhet përkrahur në qëndrimet rreth zhvillimeve të fundit, Thaçi apo Haradinaj?

Anton Quni: Ne si LDK nuk vlerësojmë profilet personale, por punën e personaliteteve të veshur me përgjegjësi institucionale. Ne tanimë e kemi bërë të njohur qëndrimin rreth rolit të z. Thaçi në dialogun me Vuçiqin për shkëmbimin e territoreve ose korrigjimin e kufijve. Këtë e kemi bërë edhe me sponsorizimin e rezolutës me të cilën do ta parandalonim z. Thaçi që të negociojë me Serbinë. Po ashtu, në adresë të z. Haradinaj si kryeministër kemi ngritur shumë çështje të menaxhimit të fondeve, emërimeve në postet shtetërore, marrëdhëniet me partnerët strategjikë etj. Ne gjithnjë edhe nga pozicioni i opozitës do të përkrahim politikat e shëndosha shtetërore, siç ishte rasti me misionin e ri të FSK-së.

Gazeta Express: Qëndrimi i LDK-së për dialogun Kosovë – Serbi tashmë dihet. Kur do të përfshihet LDK-ja në dialog, si dhe a besoni ju se ekipi i ri negociator vërtet po udhëheq bisedimet, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, apo shefi i bisedimeve është Hashim Thaçi?

Anton Quni: LDK-ja është pro dialogut, i cili do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi. Për momentin ky dialog është i komprometuar nga fakti se presidenti, në mënyrë të vazhdueshme, ka dalë jashtë mandatit të siguruar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kurse grupi negociator i shërben vetëm për dekor. Prandaj LDK-ja insiston në rilegjitimimin e forcave politike pas një procesi të rregullt zgjedhor. Në këtë proces LDK-ja rolin e SHBA-së dhe partnerëve të tjerë strategjikë e konsideron të rëndësishëm dhe thelbësor. Pa një legjitimitet procesi dialogues mbetet i hendikepuar.

Gazeta Express: Cili është qëndrimi i juaj rreth zërave për ndryshim të kufijve me Serbinë? Çka mund të sjellë, sipas jush, ndarja e Kosovës?

Anton Quni: Për LDK-në, shtetësia e Kosovës me kufijtë e saj, është përmbyllur me Deklaratën e Pavarësisë. Ajo është vulosur me opinionin e GJND-së. Ajo nuk mund të rihapet. Ndarja e Kosovës do të rihapte plagë ende të pashëruara nga padrejtësitë ndaj kombit shqiptar në të kaluarën. Pastaj fillon domino-efekti në pjesën më të madhe të Ballkanit.

Gazeta Express: E kemi parë shumë herë se si brenda LDK-së ka përçarje në kuptimin e qëndrimeve të kundërta për një çështje të caktuar. Përderisa Isa Mustafa nuk e mbështet shkëmbimin e territoreve me Serbinë, Lutfi Haziri që mban pozitën e nënkryetarit e përkrah idenë e Thaçit. Pastaj raportet Isa Mustafa – Vjosa Osmani dhe raportet garda e vjetër e LDK-së me prurjet e reja. A ka rrezik që partia juaj ta ketë fatin e Vetëvendosjes sa i përket ndarjes së partisë?

Anton Quni: Të gjitha këto opinione nuk përkojnë me realitetin. Ne LDK bashkëveprojnë të gjitha gjeneratat, dhe kjo çmohet si pasuri. Po ashtu, kultura e komunikimit dhe shprehjes së qëndrimeve është tregues i demokracisë së brendshme para arritjes së qëndrimit të përbashkët. Ne fund LDK-ja flet vetëm me një zë.

Gazeta Express: Gjykata Speciale ka dërguar disa ftesa për disa prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së, si po e shihni ju këtë proces dhe a prisni ju vetë ftesë nga kjo Gjykatë? A do t’i përgjigjeshit pozitivisht ftesës?

Anton Quni: Jam më se i bindur se paragjykimet e ngritura për UÇK-në do të bien poshtë para Gjykatës Speciale. Aty do të vërtetohet përgjegjësia individuale për ushtarakë dhe ushtarë të caktuar. Unë nuk jam kontaktuar nga asnjë autoritet i Gjykatës Speciale, por nëse kërkohet do t’i përgjigjem thirrjes.

Gazeta Express: Pse LDK-ja po del kundër votimit të Ligjit për Buxhetin?

Anton Quni: Për çështje të fushës së financave dhe të ekonomisë e kam besimin te kolegët e mi të cilët kanë ekspertizë në këto fusha. Qëndrimi i tyre kritik është referencë për vendimin e LDK-së. Ata kanë vlerësuar se buxheti i Republikës nuk adreson nevojat sociale, ekonomike e politike të shoqërisë sonë; se i njëjti nuk adreson nevojat e mëdha në arsim, shëndetësi, gjyqësi e mbrojtje. Së këndejmi, ne s’mund ta mbështesim një buxhet të tillë.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/intervista/interviste-anton-quni-taksa-parandaloi-marreveshjen-e-thacit-me-vuciqin-por-nuk-duhet-t-i-prishim-raportet-me-shba-ne-622132/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0