Quni: Liderishipi i ri i LDK-së do të vendos me kë do të bashkëpunojmë

Quni: Liderishipi i ri i LDK-së do të vendos me kë do të bashkëpunojmë

Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni në një prononcim për Gazetën Blic ka treguar për procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK dhe për hapat që kjo parti do t’i ndërmarrë në lidhje me koalicionet e mundshme parazgjedhore.

Ai ka thënë se lidershipi i ri i LDK-së do të vendos kornizat e bashkëpunimit me subjektet tjera politike në vend.

“Zgjedhjet tona të brendshme, me disa përjashtime të vogla, ku patëm involvim të elementeve nga jashtë, kanë shkuar shumë mirë, marrë parasysh se ne në LDK kemi garë të vërtetë, e jo sa për sy faqe”, ka thënë Quni për Gazeta Blic.

Më tutje ai ka thënë se në LDK nuk ka emërime.

Prandaj, shton ai se edhe tensionimi i situatës në ndonjë rast do të duhej të mirëkuptohej.

“Gjithsesi, marrë në tërësi, procesi ishte fer dhe demokratik që dha mundësinë të zgjedhim dhe të zgjidhemi”, thotë Quni.

Tash, tha ai, jemi në përgatitje të Kuvendit në qendër i cili do të nxjerri lidershipin e LDK-së për katërvjeçarin e ardhshëm.

“Ky lidership më pas do t’i përcaktojë edhe kornizat e rrugëtimit tonë tutje si parti. Lidershipi i ri, së bashku me organet tjera partiake që do të dalin nga Kuvendi Zgjedhor, gjithashtu do të përcaktojnë edhe kornizat e bashkëpunimit tonë me subjektet tjera politike në vend”, ka thënë ai.

Ai ka treguar kushtet, përmes së cilave LDK do t’i përzgjedh partnerët për bashkëpunim.

“Jam i sigurt që partnerët për bashkëpunim do përzgjidhen apo përjashtohen në bazë të përvojave tona në të kaluarën dhe bazuar në nevojat aktuale, situatës në terren, përafrimit të shtyllave kryesore në platformën qeverisëse të vendit dhe parimeve tjera që LDK-ja i ka si themel të bashkëpunimit dhe partneritetit partiak”, tha ai.

Ndryshe, LDK të shtunën do ta mbajë Kuvendin Zgjedhor.

Deri më tani në garë për kryetar të LDK-së janë: Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani dhe Fatmir Sejdiu.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: