Qeveria pritet të shkarkojë Bordin e Telekomit

Qeveria pritet të shkarkojë Bordin e Telekomit

Qeveria e Kosovës pritet ta shkarkojë Bordin e Telekomit në mbledhjen e ardhshme të saj. Propozimi i ministres Rozeta Hajdari është bazuar në performancën e dobët, keqmenaxhimin dhe aferat korruptuese në të cilat ishte përfshirë ky bord që nga fillimi i emërimit.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik pritet që shumë shpejt të shkarkojë nga detyra Bordin aktual të Telekomit të Kosovës.

Në fakt, propozim-shkarkimi tashmë është shkruar dhe pritet që t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, në një nga mbledhjet e ardhshme, pasi vendimi i takon asaj si aksionare e vetme e Telekomit.

KOHA merr vesh nga burime të afërta me zhvillimet se arsyetimi i Qeverisë do të fokusohet në tri çështje.

Fillimisht në performancën e dobët të Bordit e sidomos rënien e kapitalit të kësaj ndërmarrjeje në 2 vjetët e fundit.

Pikë tjetër është edhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare, që është evidentuar në raportet e brendshme dhe të jashtme të auditimit.

Si pikë referimi do të jenë edhe raportimet e mediave për shumë afera korruptuese dhe nepotizëm, e këtu përmenden ndikimet e Bordit për punësimin e familjarëve të tyre e edhe të politikanëve kryesisht të AAK-së, Nismës e PDK-së.

KTV-ja për këtë ka pyetur edhe ministren Rozeta Hajdari, e cila nuk e ka mohuar këtë informacion, por ka thënë se aktualisht është e zënë me çështjen e CEFTA-s.

Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse Bordi do të zëvendësohet me personat e tjerë që kanë qenë në listë apo do të zgjidhet i ri nga fillimi.

Aktualisht Bordi i Telekomit udhëhiqet nga Besa Shatri-Berisha, e cila është bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, Sead Ujkani, Skender Hoti, Shkelzen Ibrahimi dhe Suzana Andjelkoviq.

Në të kaluarën pjesë e Bordit ishin edhe Fidel Krasniqi, i cili kishte dhënë dorëheqje me pretendimin për të marrë menaxhimin e Telekomit, pas dorëheqjes së Gent Begollit. Madje Krasniqi ishte përfshirë në një konfrontim verbal me kryeshefin aktual të Telekomit, Bedri Istrefin.

KTV-ja kishte raportuar se si Krasniqi kishte kërkuar që t’i sigurohej një zyrë dhe një post brenda Telekomit pasi kishte mbetur pa punë kur dha dorëheqje nga Bordi pasi i ishte premtuar pozita e kryeshefit.

Në Bord, për disa kohë, ishte edhe Muhamet Spahiu, por sipas zyrtarëve udhëheqës të Telekomit, ai u largua nga aty 7 muaj më parë pasi ishte bërë këshilltar i ish-kryeministrit Haradinaj.

Në listën e pritjes së Bordit ka qenë edhe Armend Osaj, i cili aktualisht është zyrtari kryesor financiar në këtë ndërmarrje.

Në listën e Qeverisë së kaluar për anëtarë të Bordit të Telekomit, në pritje janë Arsim Gosalci, Enis Berisha, Kujtim Xhelili, Qemajl Ahmeti dhe Genc Rraci.

COMMENTS

WORDPRESS: 0