Qeveria mohon ikjen e qytetarëve

Qeveria mohon ikjen e qytetarëve

Kryeministri Haradinaj ka vënë në dyshim besueshmërinë e institucioneve të njohura ndërkombëtare për të mohuar se po ndodh ikja e qytetarëve nga Kosova.

Haradinaj e ka quajtur të pavërtetë konstatimin e Bankës Botërore për humbjen e 17 mijë vendeve të punës, njëjtë sikurse edhe Statistikat e Bashkimit Evropian (EUROSTAT), që thonë se Kosova ka pasur rënien më të madhe të popullsisë në Evropë në dekadën e fundit. Saktësisht nga viti 2007 Kosovën e kanë lëshuar 15 për qind e popullsisë, shkruan sot Koha Ditore.

Haradinaj nuk është marrë me fenomenin e ikjes së qytetarëve, por ka ngritur dyshime se këto shifra po prezantohen me tendencë të manipulimit të opinionit.

“Statistikat e fundit reale të migrimit tregojnë se Kosova nuk përbën rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 3 515 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018, krahasuar me vitin 2015, kur kishin emigruar 67.545 persona. Ndërsa në vitin 2018 janë rikthyer vullnetarisht 727 qytetarë të Kosovës. Kjo tregon qartë rënie të lartë të migrimit dhe se qytetarët e Kosovës respektojnë parimet bazë të lëvizjes së lirë”, ka shkruar Haradinaj të enjten.

“Të dhënat e pasakta, me ose pa qëllim, dhe manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza, të cilat në shumicën e rasteve janë viza turistike, zyrtare dhe të punës, dhe vizita e bashkime familjare, për të cilat qytetarët aplikojnë njëkohësisht në disa ambasada dhe të njëjtit edhe disa herë brenda vitit, e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave”, ka shtuar ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0