PZAP-i urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet në veri

PZAP-i urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet në veri

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor që të certifikojë Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen në katër komuna në veri të Kosovës më 19 maj.

Në vendimin e marrë sot, PZAP e ka shpallur si të bazuar pjesërisht apelin e Listës Serbe për moscertifikim nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Në vendimin e PZAP-it thuhet se është anuluar vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor që nuk i certifikoi kandidatët e kësaj partie dhe se urdhërohet ky komision që të certifikojë Listën Serbe me kandidatët Goran Rakiq për Mitrovicë të Veriut, Vuqina Jankoviq për Zveçan, Srdjan Vuloviq për Zubin Potok dhe Zoran Todiq për Leposaviq për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit.

Si i pabazuar është refuzuar apeli i kësaj partie që ka të bëjë me njoftimin e Prokurorisë për ekzistimin e elementeve të veprës penale në raport me veprimet e anëtarëve të KQZ-së.

Si i palejuar është hedhur apeli i Listës Serbe me të cilin kishte kërkuar që të vërtetohet se vendimi i KQZ-së ishte në kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës dhe se me këtë vendim është shkelur e drejta pasive e votimit.

Në arsyetim theksohet se Lista Serbe i ka plotësuar kushtet ligjore për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0