Punëtorëve të KEK-ut u bëhet presion për nënshkrimin e një peticioni kundër shkarkimeve

Punëtorëve të KEK-ut u bëhet presion për nënshkrimin e një peticioni kundër shkarkimeve

Përmes një peticioni, disa persona nga menaxhmenti i Koorporatës Energjetike të Kosovës u kanë bërë presion punëtorëve në këtë ndërmarrje që të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë në detyrë për largimin nga detyra të drejtorit menaxhues, Njazi Thaçi.

Në peticionin e siguruar nga KOHA, u kërkohet sindikatave të KEK-ut që të marrin qëndrim “për padrejtësitë që po i bëhen stafit menaxhues të KEK-ut”.

“Sindikatat dhe të gjithë punëtorët janë të vetëdijshëm se interesat politike po synojnë të sjellin përçarje dhe ndasi në KEK. Nëse nuk kemi përkrahje, atëherë do të largohemi nga anëtarësia e sindikatave për shkak se nuk mbrohen interesat e KEK-ut. Nuk do të pajtohemi dhe nuk do të pranojmë që të ketë ndërhyrje politike dhe s’do të lejojmë të bëhet padrejtësi ndaj askujt në KEK, për shkakun se kërkesat tona të përbashkëta janë meritë e punëtorëve, stafit udhëheqës dhe menaxhues të korporatës. Ky peticion nënshkruhet për të paralajmëruar Qeverinë e Republikës së Kosovës, ministren Rozeta Hajdari, që të mos ketë ndërhyrje politike në KEK, përndryshe drejtuesi menaxhues z. Njazi Thaçi është zgjedhur me konkurs dhe nuk është e drejtë ndërhyrja politike duke u bazuar në performancë dhe rezultatet si kurrë më parë”, thuhet në përmbajtjen e peticionit të nisur të martën.

KOHA mëson se punëtorëve po u bëhet presion që të nënshkruajnë këtë peticion.

“Ka presion prej individëve dhe ka presion prej militantëve, disa njerëzve aty. E kanë fsheh faqen e parë duke bërë që punëtorët të nënshkruajnë pa e ditur fare për çka është fjala. Janë 30-40 veta që e kanë nënshkruar. Disa mini-menaxhmente aty e kanë shtyrë këtë”, ka thënë ky burim për KOHËN.

KOHA ka kontaktuar edhe me zyrtarë të KEK-ut, që kanë thënë se menaxhmenti nuk ka njohuri për një peticion të tillë.

Javën e shkuar, bordi i përkohshëm i KEK-ut shkarkoi Thaçin nga pozita e drejtorit dhe zëvendësdrejtorin Nysret Kelmendi. Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me qeverinë, ka thënë se gjetjet kryesore që quan në këtë shkarkim lidhen me bonuset në kundërshtim me vendimin e ministrit, shpenzimet e planifikuara, shkeljet në punësim e keqmenaxhim të pronës dhe shkelje të tjera.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0