Punëtorët e Postës së Kosovës në grevë, paralajmërojnë edhe protesta në rrugë

Punëtorët e Postës së Kosovës në grevë, paralajmërojnë edhe protesta në rrugë

Punëtorët e Postës së Kosovës që nga sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme për shkak të mos marrjes së pagave të tyre për muajin gusht.

Për këtë ata po paralajmërojnë edhe protesta në rrugë. Në grevë kanë hyrë të gjitha degët e Postës së Kosovës në shtatë regjione të vendit.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti tha se greva nuk do të ndërpritet deri në ekzekutimin e pagave për punëtorët.

Sipas tij këta punëtorë kërkojnë edhe një garanci se më nuk do kenë vonesa të marrjes së pagave.

“Punëtorët e Postës së Kosovës, kolegët e mi, deri sot, më datën 10, nuk u janë realizuar apo ekzekutuar pagat e muajit gusht. Organizimi i grevës bëhet me qëllimin final realizimin e pagave. Po ashtu, kërkojmë një garanci që nuk do të përsëriten të njëjta seriale për çdo muaj për punëtorët e Postës së Kosovës që do të thotë realizimi i shërbimit të subvencionimit universal postar apo marrja e shërbimeve shtetërore publike”, tha Hoti, raporton KosovaPress.

Hoti po ashtu ka deklaruar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen ata do të vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e tyre përmes protestave.

“Hapat sindikalë do të ndryshojnë, do të bëhen më të ashpra. Kjo është një grevë që fillon sot dhe nuk përfundon deri në realizimin e kërkesave. Forma dhe mënyra e protestës do të ndryshojnë në të ardhmen nëse nuk realizohen kërkesat tona”, tha Hoti.

Sipas tij Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar lidhur me kërkesën e tyre për shërbimin universal postar, ndonëse një premtim i tillë e kishte marr kohë më parë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Njëra nga punëtoret e Postës, Albulena Paçarada, është e shqetësuar për mos marrjen e pagës së saj duke thënë se kjo po ndikon negativisht tek familjet e tyre.

Ajo shton se për shkak të mos plotësimit të kërkesave të tyre nga Qeveria, po detyrohen që shërbimet e tyre ndaj konsumatorëve t’i ndërpresin.

“Po më vjen keq prej konsumatorëve që nuk po mundemi me krye shërbime për shkak se kërkesat tona nuk i kanë plotësuar ende qeveritarët. Po ne do të vazhdojmë me grevë derisa të na plotësohen kërkesat tona. Po ndikon negativisht, normal që mos me marr deri me të 10-in pagat ndikon negativisht në familjet tona”, tha Paçarada.

Punëtorët e Postës së Kosovës kanë mbajtur grevë edhe gjatë muajit korrik të këtij viti për shkak të mos marrjes së pagës së tyre, dhe mos plotësimit të kërkesave të tyre.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0