Punëtorë të KEK-ut po vdesin nga sëmundjet e kancerit

Punëtorë të KEK-ut po vdesin nga sëmundjet e kancerit

Për shkak të kushteve jo të mira, në të cilat punojnë shumë punëtorë të KEK-ut, vit pas viti preken me sëmundje të rënda dhe më të shpeshta janë ato të kancerit. Punëtorë të shumtë të kësaj Korporate nuk mund ta shijojnë as pensionin, për shkak se vdesin nga sëmundjet që marrin, shkruan gazeta Zëri.

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës po vazhdojnë të punojnë në kushte të rënda, prej së cilës po marrin sëmundje të ndryshme që po ua rrezikojnë jetën. Gjatë vitit 2019 20 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë vdekur nga sëmundjet e kancerit, prej të cilit thuhet se janë prekur në vendin e tyre të punës.

Kryetari i Nënsindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë për “Zërin” se punëtorët e KEK-ut punojnë në kushte jo të mira, ku edhe i ekspozohen rrezikut për t’u prekur nga sëmundje të rënda. “Gjatë vitit të kaluar nga sëmundjet që dyshohet se i marrin nga vendi i punës janë rreth 20 veta, kryesisht sëmundje të rënda kanceroze. Punëtorët e KEK-ut kanë vende të rrezikshme të punës për arsye se u ekspozohen gazrave, pluhurit, dridhjeve, zhurmës, tymit të saldimeve etj”, ka thënë ai.

Pavarësisht marrjes së masave mbrojtëse, ai ka thënë se është e vështirë të largohet ekspozimi ndaj rrezikut në punën që bëhet në KEK. Llumnica ka kërkuar që punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës t’u njihet sëmundja që marrin në vendin e punës e të paguhen për ekspozimin ndaj rrezikshmërisë në punën që bëjnë. “Sa u përket masave mbrojtëse, pavarësisht aplikimit të tyre është e vështirë të largohet ekspozimi i rrezikut, mirëpo punëtorëve të KEK-ut t’u njihet sëmundja profesionale që i marrin nga vendi i punës, të kanë pagesën për rrezikshmëri dhe të respektohet ligji që në këto raste këto vende të rrezikshme duhet t’i kenë 30 ditë pune pushim vjetor në vitin kalendarik’, ka shtuar ai.

Pavarësisht investimeve që janë bërë në KEK, punëtorët e kësaj korporate ende nuk janë të kënaqur me kushtet që u ofrohen, për shkak se puna që ata bëjnë vlerësohet të jetë tejet e rëndë e po ashtu edhe e rrezikshme, për shkak të gazrave helmuese. Punëtorëve të KEK-ut, që punojnë me ndërrime, nuk u paguhet as fundjava 50 për qind, nuk u respektohen pushimet vjetore e pushimet mjekësore.

COMMENTS

WORDPRESS: 0