Pse dështoi socializmi? (Video)

Sistemi socialist ishte proklamuar si sistemi në të cilin do të kishte bollëk për secilin, dhe ku secili do të ishte i barabartë. Mirëpo pas disa dekadash eksperimentim, shumica e shteteve që kishin përqafuar këtë sistem kishin arritur vetëm këtë të dytën, pra barazinë. Por kjo nuk ishte barazi me bollëk, por barazi në varfëri – të gjithë ishin të varfër, dhe të gjithë ishin të barabartë.

Njëra prej arsyeve se pse ky sistem dështoi, ishte edhe tendenca për të pasur një ekonomi të centralizuar, ku shteti kontrollonte gjithcka, madje caktonte edhe cmimet. Gjë që ishte e pamundur të bëhej, dhe më së miri ilustrohet me një video të vitit 1961 e realizuar në Bashkimin Sovjetik, shkruan EkonomiaSot.com.

Në video shihet një zyrtar i lartë i Komitetit Shtetëror të Cmimeve, i bashkimit Sovjetik. Ai me krenari tregon se si ky Komitet i përcakton cmimet e të gjitha produkteve që shiten në Bashkimin Sovjetik, gjithsej 25 milionë produkte. Sipas tij, rreth 400 ekspertë punojnë ditë e natë për të përcaktuar këto cmime, dhe si rezultat të punës së tyre tregon një mal me doracakë të cmimeve të ndryshme.

Absurditeti i kësaj qëndron në faktin se derisa të bëhet përcaktimi i cmimit, e ai cmim të miratohet në Komitet, pastaj të dërgohet doracaku për shtypje, me shumë gjasë cmimi i atij produkti do të ketë ndryshuar përsëri. Gjë që edhe zyrtari sovjetik në video e pranon.

Megjithatë, shpresa e tij është se teknologjia do t’a shpëtojë sistemin, sepse nuk do të ketë nevojë që cmimet të shtypen nëpër doracakë, por ato do të zëvendësohen me Floppy Disketa. Por sot të gjithë jemi në dijeni se as Floppy Disketat nuk patën mundësi ta shpëtojnë këtë sistem, e madje Disketat nuk arritën ta shpëtojnë as veten. / EkonomiaSot.com

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0