Pse dështoi socializmi në Shqipëri – një vështrim nga e majta

Pse dështoi socializmi në Shqipëri – një vështrim nga e majta

Shkruan: Ylli Përmeti

Kur komunistët shqiptarë erdhën në faqet e historisë, paralelisht, në Perëndim, ishin zhvilluar principet sistemike keinsiane —veçanërisht në Amerikë – dhe në Lindje —dhe veçanërisht në Rusi – falë revolucionit bolshevik, ishin zhvilluar principet sistemike marksiste. Socializmi në Shqipëri, rrjedhimisht, lindi në fazën kapitaliste në monarkinë e Zogut mes lëvizjesh politike të cilët adoptuan sintezën marksiste pas fitores mbi nazifashistët italo-gjermanë: duke instaluar një parti komuniste — që nuk lindi nga rrënojat e kapitalizmit por nga rrënojat e luftës që shkaktuan fuqitë nazifashiste; përmbysi marrëdhëniet pronësore, zhvilloi luftën e klasave dhe prodhimin sipas teorisë marksiste dhe institucionalizoi solidaritetin.

Por ndërsa shkaqet e dështimit të socializmit sovjet i pamë në vend tjetër,  dhe të njëjtët shkaqe mund t’i atribuohen edhe socializmit në Shqipëri, meqënse ai adoptoi principet marksiste dhe praktikat lenin-staliniste — pa kundrim demokratik, mirë është ta shqyrtojmë këtë periudhë, sepse shumë, dhe veçanërisht filo-kapitalistët, argumentojnë se socializmi në Shqipëri dështoi për shkak të varfërisë (materiale) dhe mungesës së lirisë — duke nënkuptuar se Perëndimi ose kapitalizmi siguron një shkallë më të lartë materiale dhe lirie!

Në anët tona, protagonist i kësaj teze është Andrea Stefani. Problemi kryesor me autorin në fjalë nuk është se ai shtrembëron faktet, siç e akuzojnë shumë “komunistë” të shekullit të kaluar. Por fakti që ai ka qenë pedagog i “marksizmit” dhe në analizën e tij nuk përdor as qasjen marksiste, klasoren, as teoritë e Marksit, as edhe ndonjë qasje tjetër sistemike për të mbeshtetur tezën e tij! Nga ana tjetër, socialistët argumentojnë se socializmi në Shqipëri dështoi sepse vdiq Enveri!

Por siç do të shqyrtojmë këtu, socializmi dështoi kryesisht për shkak se mungonte urtësia sistemike për të kuptuar kontradiktat që krijonte sinteza marksiste në raport me natyrën njerëzore (teleologjike) dhe njohurinë e mundshme shkencore që mund të zhvillojë një popull.

Kështu, Partia Komuniste, pasi themeloi veten, me revolucion (sepse mobilizoi shumicën e popullsisë kundër pushtuesve) dhe armë në dorë, filloi zbatimin e reformave që kishte ndërmarrë Rusia bolshevike. Reformat që ndërmori qeveria komuniste menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ishin radikale: në kuptimin e përmbysjes së një rendi socilal-ekonomik me një rend tjetër.

Ato përfshinin shtetëzimin e pasurive – pronat e fuqive pushtuese dhe e shtetasve të tyre; shtetëzimin e mjeteve kryesore të prodhimit – pronë e borgjezisë së vendit; shtetëzimin i bankave; reformat në lëmin e monedhës e të kreditit; tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës të realizuara nga borgjezia; monopolin e shtetit mbi tregtinë e jashtme; reformën agrare sipas parimit ‘toka i përket atij që e punon’ etj.  Si pasojë, gjatë periudhës 29 vjeçare (1951-1979), ritmet e rritjes ekonomike kanë qenë si vijon:

Në produktin e përgjithshëm shoqëror 8,7%;

Në të ardhurat kombëtare 7,4%;

Në prodhimin e përgjithshëm industrial 12,4%;

Në prodhimin e përgjithshëm bujqësor 5%; dhe

Në investimet shtetërore 9,2%.

Shifra e parë prej 8,7% është më e mirë se e po të njëjtës periudhë në Greqi që ishte 6%, e vendeve perëndimore apo e prodhimit të sotëm të globalizmit neoliberal. Por krahasuar me investimet shtetërore (9.2%) prodhimi i përgjithshëm është më i ulët (8.7%). Nëse, në anën tjetër, krahasojmë dekadat nga viti 1938-të deri në vitin 1979-të, për prodhimin e përgjithshëm industrial bujqësor, shohim një përmbysje të ekonomisë:

Vitet gjithsej: industria – bujqësia

1938  100.0           6.7    93.3

 1950  100.0          19.9   80.1

 1960  100.0           51.0  49.0

 1970  100.0           59.7  40.3

 1979  100.0           61.1  35.9. 

Duket qartë se prodhimi në industri është rritur më shumë se 10 fish. Kjo gjendje ishte pasojë e përqendrimit të ekonomisë në industri. Ndryshe nga periudha zogiste, kur ekonomia e vendit mbështetësh kryesisht në bujqësi primitive, bujqësia socialiste, u koordinua me sektorë të tjerë të ekonomisë dhe ndërsa rriti prodhimin në industri zhvendosi dhe përqindjen e popullatës që aktivizohësh në këtë sektor duke e përgjysmuar.

Në po të njëjtën periudhë, numri i punëtorëve u rrit: nga rreth 15 mijë vetë që ishte numri i punëtorëve në vitin 1938-të, arriti në 483 mijë vetë në vitin 1979-të dhe mbi 42 % e tyre përbëhej nga gratë. Prodhimi industrial që realizohej gjatë një viti më 1938-tën, në 1979-ën realizohet në më pak se tre ditë dhe çdo 3-4 vetë, një mëson në shkollë.  Për më shumë, në vitin 1977-të, eksporti i mallrave të përpunuara zinte 62.2 % të të gjithë eksportit, nga 37 për qind, dhe 54,6 % që zinte përkatësisht në vitet 1950-1960-të.  Punësimi u rritë në një shkallë mjaft të mirë: në periudhën 1961-1970 u punësuan çdo vit (në sferën prodhuese e në sferën jo prodhuese [shërbime financiare]) 20 mijë vetë, në periudhën 1970-1975 u punësuan çdo vit 30 mijë vetë, ndërsa në vitet e pesëvjeçarit të gjashtë (1976-1980) u punësuan mesatarisht çdo vit rreth 40 mijë vetë.

Por ky zhvillim bart disa implikime. Për shembull, ai impononte krijimin e industrive të mëdha, me qëllim krijimin e vendeve të punës. Kështu më shumë familje ishin nën kontrollin e pushtetit qendror. Ky proces krijonte kushtet, ndonëse nën kontroll, për ndryshime demografike – nga fshatare në qytetare. Sidoqoftë, principi i ‘barazisë ekonomike’ ishte në rend të politikës zyrtare dhe i frenonte disi lëvizje demokratike. Përmirësimi kushteve të jetesës në qytet varej nga rendimenti i lartë ekonomik në fshat: sa më shumë të rritej qyteti, aq më shumë shtrëngohej fshati.

Kjo dinamikë, bashkë me politikën eksportuese, detyroi elitën e kohës të shpyllëzonte dhe të krijonte kultivar në zona që nuk ishte mbjellë kurrë. Kështu, në sajë të shtrembërimit të demokracisë ekonomike, domethënë të mbulimit të nevojave të gjithë popullatës dhe shpërndarjes së drejtë të prodhimit, elita e kohës, megjithëse rendimentin e grurit e katërfishoi —nga 7 kv/ha në vitin 1938 në rreth 30 kv/ha në vitet 1983-86— ndërsa prodhimi u rrit rreth 15 herë,  zvogëloi konsumin kombëtar:

Të ardhurat për konsum dhe akumulim kombëtar

1951-1955    74,4    25,6

 1956-1960    73,0    27,0

 1961-1965    71,2    28,8

 1966-1970    66,1    33,9

 1971-1975    64,2    35,8.

Qartësisht, të ardhurat kombëtare për konsum zvogëlohen çdo pesë vjet dhe për akumulim rriten. Kjo nënkupton se fitimet që akumulohen në arkën e shtetit janë pjesërisht efekt i rritjes ekonomike dhe pjesërisht efekt i reduktimit të konsumit të brendshëm.

Një aspekt tjetër që duhet marrë në konsideratë në zvogëlimin e konsumit është fakti që fillimi i rindërtimit të një shoqërie, sidomos pas një lufte, është më i vrullshëm, sidomos kur anëtarët e një shoqërie e kujtojnë luftën, dhe si mund të harrohen fundja… dhe puna nga popujt kryhet me një psikologji vetëmohuese dhe moral të lartë.

Por me kalimin e kohës, dhe meqenëse padrejtësitë bëhen të pashmangshme, vrulli venitet. Në rrafshin monetar, komunistët sekuestruan një pjesë të madhe të floririt dhe metale të tjera të çmuara, pasuritë e tundshme dhe të patundshme. Në aspektin e ndërtimit të ndërmarrjeve, vendi adoptoi industrinë e rëndë, sipas principeve leniniste, i cili argumentonte se industria e rëndë është baza për të kaluar në socializëm, dhe nga pikëpamja e gjendjes se forcave prodhuese, domethënë nga pikëpamja e kriterit themelor të gjithë zhvillimit shoqëror, përbën bazën e organizmit socialist, duke bashkuar punëtorët e përparuar të industrisë, duke bashkuar klasën që ushtron diktaturën e proletariatit.

Nuk do të ishte e çuditshme që: …prodhimi industrial i vitit 1938 u realizua në vitin 1980 në më shumë se dy ditë. Zbatimi i kursit të zhvillimit me përparësi të industrisë së rëndë bëri të mundur që prodhimi i mjeteve të prodhimit në vitin 1980 të përfshijë 64,0% të të gjithë prodhimit industrial të vendit, nga 48,9% që ishte në vitin 1960 dhe 57% në vitin 1970. Prodhimi i sendeve të konsumit në vitin 1980 përfshinte 36% të prodhimit të përgjithshëm industrial, nga 51,1% në vitin 1960 dhe 43% në vitin 1970.

Kjo qasje shpjegon edhe përmbysjen e ekonomisë. Domethënë, nga një ekonomi bujqësore, blegtorale dhe artizanale —primitive—, në një ekonomi më shumë industriale, të varur nga vendimet qendrore dhe nga burokracia e ndërmarrjeve, që krijohet në sajë të karakterit hierarkik të sistemit dhe, shkencore.

Gjithashtu, regjimi ishte i varur edhe nga importi, që në sajë të karakterit të tij industrial, krijonte varësi industriale për lëndën e parë. Për shembull, kur u prishën marrëdhëniet me Kinën, një pjesë e industrisë mbeti pa lëndë të parë! Këto janë disa nga arsyet që industria e rëndë në një sitezë institucionale hierarike është e padëshirueshme për individin, shoqërinë dhe ekologjinë, traditën, zhvillimin shkencor të punëtorëve dhe lirinë. Në tokat që ishin këneta apo që kishin nevojë për përmirësim të kullimit dhe ujitjes, për shembull, kuadrot punuan me sukses.

Në vitin 1979-të sipërfaqja e tokës së punuar arriti në 696 000 hektarë, nga 292 000 që ishte në vitin 1938, duke u rritur kështu 2,4 herë…. nga bonifikimet e kryera gjatë viteve 1946-78 u përfituan 48 530 hektarë tokë të reja dhe janë përmirësuar 186 376 hektarë të tjera.  Në këto shifra nuk përmenden tokat që rezultuan nga shpyllëzimi dhe kultivimi i tokave me pjerrësi, të cilat në pjesën më të madhe u dëmtuan nga erozioni. Gjithashtu, si rezultat i zhvillimit shkencor të prodhimit, mekanizimi, kimizimi dhe ujitja e tokave u shtuan me ritme galopante: në vitin 1978-të, në krahasim me vitin 1938-të, numri i traktorëve (15 k.f.) u rrit 610 herë, kurse numri i makinave shirëse, 30 herë. Aftësia ujitëse në vitin 1978-të mbulonte 51,8 % të të gjithë sipërfaqes së punueshme të vendit, nga 10 % që ishte në vitin 1938; nga 1000 tonë plehra kimike që janë përdorur në bujqësi në vitin 1950-të, në vitin 1968-të u përdorën 99.900 tonë. Ky zhvillim solli rritjen e rendimentit të drithërave, qumështit dhe bostanoreve.

Për shembull, në vitin 1979-të rendimenti i drithërave të bukës ishte 28,6 kv për ha, nga 10 kv për ha që ishte në vitin 1938; rendimenti i orizit arriti në 38,8 kv. Nga 16 kv; perimet e bostani në 130 kv, nga 94; qumështi 1430 kg për çdo lopë, nga 280 kg që ishte në vitin 1938. Në vitin 1979 prodhimi i përgjithshëm bujqësor u rrit pesë herë.  Kështu, pikërisht sepse u adoptua ideologjia e rritjes ekonomike përmes zhvillimit të forcave prodhuese, Shqipëria shënoi përgjatë dy dekadave të para të ardhura kombëtare të admirueshme:

Gjatë 20 vjetëve, 1950-70, të ardhurat kombëtare janë rritur mesatarisht mbi 8% në vit, ndërsa në pesëvjeçarin 1971-75 ato janë rritur mesatarisht 6,7 % në vit, domethënë rreth 3 herë më shpejt se shtesa mesatare e popullsisë.

Nga të dhënat e mësipërme kuptojmë se megjithëse se të ardhurat kombëtare pësuan rënie gjatë pesë vjeçarit 1971-75, pavarësisht se kjo periudhë ishte thuajse e kompletuar mekanikisht, empirikisht dhe e mirë-organizuar me ekipe shkencore, specialistë dhe punëtorë…rritja mesatare e popullsisë ka qenë poshtë rritjes së të ardhurave. Gjykuar nga ky raport, midis të ardhurave dhe rritjes së popullsisë, qeveria mund të rriste mirëqenien e popullit.

Domethënë, të shpërndante më drejtë prodhimin për shtresat në nevojë e të mbulonte nevojat. Por nuk ndodhi kështu: sepse të ardhurat kombëtare përdoreshin për investime në sektorin publik. Veçanërisht në ushtri dhe industri. Investimet në sektorin publik, me rradhë, mbanin çmimet e mallrave në kosto konstante. Ndihma e vendeve të tjerë socialistë (Kubë etj.), ishin një rëndim minimal për popullin.

Por kjo s’do të thotë se kursimet e shqiptarëve nuk u rritën: në vitin 1973, në çdo tre shqiptarë njëri kishte librezë kursimi dhe shumat e kursyera ishin gjashtë herë më të mëdha se në vitin 1950-të. Si pasojë, popullsia jonë thuajse u trefishua brenda 40 vjetëve: nga 1. 040. 400 në vitin 1938-të, në 2. 563. 400 në vitin 1978-të, dhe mosha mesatare u rrit nga 38 vjet në 69 vjet. Vdekshmëria nga 17,8 njerëz që vdisnin në vitin 1938-të për 1000 banorë, ajo arriti në 6,3 njerëz në vitin 1968-të. Nga viti 1951 deri në vitin 1978-të u ndërtuan 286 142 apartamente e shtëpi banimi. Shpenzimet social-kulturore arritën një nivel mjaft të lartë: nga 15 për qind që ishin në vitin 1950-të – në vitin 1978-të ishin 24 për qind. Në vitin 1960-të, punëtorë ishin 22.5%, fermerë (të fermave dhe kooperativave) 62.8% dhe intelektualë 13.6%.

Periudha e artë e socializmit në Shqipëri ishte dekada 1970-80-të. Pas vitit 1980-të, ekonomia, pavarësisht se inteligjenca e kohës ishte shumë optimiste,  pas planit të pesëvjeçarit të shtatë të vitit 1980-të, ajo kaloi në amulli (“stanjacion”) për gjithë dekadën.

Me fillimin e pluriparticizmit në vitin 1990-të ekonomia filloi të binte me shpejtësi duke kulmuar në vitin 1992-93. Pas këtij viti filloi rritja ekonomike duke kulmuar në vitin 1996-të. Viti 1997-të e tronditi ekonominë dhe e çoi në nivelin e vitit 1990-të. Pas kësaj tronditje filloi rritja ekonomike duke kulmuar në vitin 2014-të. Dhe pas këtij viti filloi amullia shkaqet e së cilës i kam treguar në vend tjetër.

Shumë e lidhin rënien e rritjes ekonomike me moshën e madhe të Enverit ose me vdekjen e tij. Domethënë, se mungesa e Enverit ishte shkak i amullisë ekonomike pas vitit 1980-të. Por ky argument është kryekëput i gabuar: sepse shkaku kryesor është sistemik.

Së pari, sepse kontradikta kryesore e sistemit është heteronomia e tij. Domethënë, tjetërvendosja. Ishte, në fjalë të tjera, elita politike që vendoste për ndërmarrjet ekonomike dhe sociale sesa vetë punëtorët, komunitarët dhe kuadrot.

Së dyti, për shkak të karakterit heteronomik të sistemit, vetë strukturat ekonomike dhe komunitetet nuk kishin zhvilluar ndonjë shkallë të rëndësishme vetë-organizative dhe vetë-vendosëse.

Dhe së treti, sepse në krye të tre dekadave u shfrytëzuan maksimalisht burimet ekonomike. Burimet ekonomike të shfrytëzuara në maksimumin e mundshëm, paaftësia vetë-vendosëse e komuniteteve, dhe padrejtësitë që krijonte natyra heteronomike e sistemit, krijoi kushtet për amulli ekonomike.

Nga ana tjetër, mungesa e virtyteve intelektualë të qendrueshëm në rradhët e kuadrove dhe mungesa e studimeve sistemike, krijuan kushtet për ‘shkelmimin’ e strukturave ekonomike nga vetë kuadrot dhe rrjedhimisht, (kur kuadrot s’kanë zhvilluar virtyte të qendrueshme), edhe nga punëtorët. Thënë ndryshe, zhvillimi i virtyteve intelektuale të kuadrove ishte tejet i kufizuar (kryesisht në sektorë të veçantë të ekonomisë) dhe për pasojë, ata s’kishin mundësi intelektuale të kuptonin kontradiktat dhe dinamikat që krijonte sistemi. Edukimi, rrjedhimisht, ishte parashtruar njëlloj si në paradigmën perëndimore: që t’i shërbente elitave.

Por me një ndryshim: në të paradigmën socialiste, për t’i shërbyer elitës politike (dhe rrjedhimisht atdheut), ndërsa në paradigmën perëndimore, për t’i shërbyer së pari elitës ekonomike dhe së dyti, elitës politike, dhe rrjedhimisht atdheut. Por në globalizmin neoliberal ‘atdheu’ humbet rolin e tij dhe zëvendësohet kryekëput me pushtetin e elitave (mbi)kombëtare dhe ideologjinë mbizotëruese dhe edukimi i shërben vetëm riprodhimit të pushteteve në fjalë. Vlerat kombëtare, rrjedhimisht, homogjenizohen dhe humasin në procesin e globalizmit: sepse në kapitalizëm dhe “demokracinë” përfaqësuese pushteti ekonomik përcakton pushtetin politik.

Gjykuar nga ky këndvështrim, niveli edukativ në Shqipëri arriti nivelin më të lartë në Evropë. Sipas të dhënave të UNESCO-s, në vitin 1980-të, koefiçenti i shkollimit të popullsisë në Shqipëri, si për meshkujt, ashtu dhe për femrat, ishte më i lartë se i Bullgarisë, Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë, Hungarisë, Jugosllavisë, Portugalisë e Polonisë.

Ndërsa në vitin 1960-të në popullsinë e shkolluar të fshatit 60.4% ishin me arsim fillor, 31.1% me arsim shtatë e tetëvjeçar, 4.9% me arsim të mesëm dhe 0.6% me arsim të lartë, në vitin 1979-të përqindja e arsimit fillor zbriti në 38.1%, ndërsa e arsimit tetëvjeçar u ngrit në 46%, e arsimit të mesëm në 14.3% dhe e arsimit të lartë në 1.5%. Ritmet e shkollimit të femrave në vendin tonë në dhjetëvjeçarin 1969-1979-të kanë qenë rreth 2 herë më të larta se sa për meshkujt. Femrat përbënin gjysmën e fëmijëve që ndiqnin shkollat tetëvjeçare e të mesme dhe përqindja u rrit shumë në shkollën e lartë: ndërsa në vitin 1960-të femrat përbënin 16.6% të fëmijëve që ndiqnin këto shkolla, në vitin 1979-të ato arritën në 47.5%.

Ky tregues, sipas të dhënave të OKB-së, ishte më i lartë se i Turqisë, Spanjës, Italisë, Republikës Federale Gjermane, Greqisë, Jugosllavisë, Austrisë, Çekosllovakisë e Belgjikës.

Por duhet thënë se edukimi në Shqipëri, zbatonte principet tërësore të edukimit të socializmit sovjet: ai u përqendrua kryesisht në shkencat e natyrës dhe shpërnjohu zhvillimin e shkencave sociale. Megjithëse një farë “shkence” sociale mund të konsiderohet ‘marksizmi’, meqënse ai synonte ndryshime radikale në nivel social, ai i ishte pamjaftueshëm. Nuk është e rastit që Lenini, hartuesi i edukimit sovjet, u ndikua nga shkrimet pedagogjike të gruas së tij, Nadezha Krupskaya dhe ukrainasit, Anton Makarenko.

Ndërsa kjo është njëra anë e problematikës, tjetra, është se edukimi u përqendrua kryesisht në praktikë (kolektive) sesa në një blalancë midis teorisë dhe praktikës. Nga ana tjetër, mësimet teorike mësoheshin përmendësh, njëlloj si në paradigmën perëndimore. Vetëm me rënien e socializmit filloi edukimi të ndryshojë qasje: të përdorte më shumë arsyen e fëmijëve sesa mësimin përmendësh: sepse qasja që u adoptua ishte se “synimi i shkollës ishte t’i shërbente shoqërisë Sovjete”.

Kjo qasje nënkuptonte se edukimi do të ishte i tillë sepse do t’i shërbente ‘direktivave’ të partisë në pushtet. Nënkuptonte, gjithashtu, se përdorimi i arsyes në mësim-marrje në moshë të vogël ishte dytësor. Kjo qasje ishte problematike sepse nuk zhvillonte qenie autonome në mendim. Por heteronome. Në djeni të plotë se njerëzit kur rriten zhvillojnë arsyen, dhe rrjedhimisht, zhvillojnë shkallën e disidencës, elita politike përdori me të drejtë interesin e përbashkët kundër interesit vetjak.

Por ky interes realizohësh në mënyrë të shtrembëruar: përmes “fletërrufeve”, ku kolektivi kritikonte punën dhe shfaqjet e huaja, apo spikaste sukseset e arritura, të njërit apo të tjetrit, dhe propagandës kinematografike. Në mënyrë të ‘shtrembëruar’ sepse supozohet se fëmijët mësonin të vepronin kolektivisht dhe kur rriteshin, ata vazhdonin të vepronin kolektivisht, por nuk kritikonin kolektivisht! Kritika, rrjedhimisht, bëhësh në formë të tërthortë. Jo të drejtëpërdrejtë.

Si e tillë, ajo ishte problematike: sepse nuk zhvillonte arsyetimin e anëtarëve të një kolektivi. Sepse arsyetimi zhvillohet kur kritika shpaloset në publik, drejtpërdejtë, sesa kur kritika shkruhet në ndonjë fletërrufe apo gazetë. Mungesa e zhvillimit të shkencave sociale, bashkë me mungesën e zhvillimit të demokracisë politike, domethënë, të shqyrtimit të çdo plan-projekti që vinte nga partia në pushtet nga vetë komunitarët, dhe zhbalancimit midis teorisë dhe praktikës, në çdo disiplinë shkencore, dhe mungesa e ‘edukimit kolektiv’, siç kuptohet më lartë, luajti rol vendimtar në moszhvillimin e aftësisë dhe autonomisë administrative të komunitarëve.

Për pasojë, popujt, në padije të plotë se çfarë i priste me ‘shkelmimin’ e strukturave ekonomike të socializmit, pranuan privatizimin e sektorëve ekonomikë që lançuan elitat politike si rrugëzgjidhje, dhe sot, pas 25 vjetësh, gjendet më keq se ç’ishin në socializëm: jo vetëm në terma ekonomikë dhe socialë, ekologjikë dhe politikë, por edhe kombëtar: sepse populli ka humbur sovranitetin e tij që fitoi me luftë dhe gjak shekullin e kaluar dhe është shumë e vështirë ta rifitojë atë kur pushtuesit e rinj, në globalizmin neoliberal, i pushtojnë popujt ekonomikisht dhe politikisht dhe përdorin elitat kombëtare për të ushtruar dhunë policore sesa dhunë ushtarake — me parátë e të njëjtit popull!

Disidentët, në anën tjetër, mund të ndahen në dy kategori kryesore: në ‘disidentë’ që kundërshtonin regjimin sepse ishin bindur përgjatë fazë kapitaliste se prona private ishte motorr zhvillimi -pavarësisht se dështuan!- dhe “disidentë” për hir të kundërshtimit. Dënimet politike, në anën tjetër, shkaktoheshin për tre arsye kryesore: njëra buronte nga vetë të dënuarit, të cilët kundërshtonin regjimin pavarësisht se ai e citonte që në faqen e parë të Kushtetutës se kushdo që propagandon kundër dënohet; një tjetër, nga vetë elita politike, e cila braktisi përdorimin e arsyes dhe bindjes me aryetim të popullit dhe për të njëjtë arsye ndaloi propagandën dhe, nga vetë natyra e luftë së klasave: shpesh, për shkak të luftës së klasave, sajoheshin armiq.

Në nivel gjeopolitikë, Enveri nuk e kuptoi se Amerikanët joshën kinezët që në vitin 1972, pas anëtarësimit në OKB, për të cilin Shqipëria luajti një rol vendimtar, me kuadrin institucional që kishin përgatitur për ekonominë botërore përmes të cilit Kinës i mundësohësh rritja e tregëtisë së mallrave të saj…kështu, ndërsa Kina filloi të integrohësh në tregun ndërkombëtar të marketingut — Shqipëria u prish me Kinën pa ia komunikuar publikut shqiptar — një prishje që çoi në boshatisjen graduale të tregut shqiptar nga mallrat kinezë.

Kjo ishte arsyeja që Enveri intensifikoi politikat ekonomike të “mbështetjes në forcat e veta”. Një arsye e dytë, ishin presionet që ushtronin ‘revizionistët’ jugosllavë, hrushovianë dhe kinezë…që Shqipëria të zhvillohej vetëm si vend bujqësor (kryesisht luledielli dhe agrume) dhe mos të zhvillonin industrinë dhe drithin. Qëllimi ishte të krijonin varësi më të madhe teknoshkencore dhe ekonomike për vendin sesa varësitë që ishin krijuar me importet. Kjo është arsyeja që Enveri i quante ‘revozionistë’: sepse ata shpërnjihnin konceptin e ‘vetëmbështetjes’ së popujve dhe rrjedhimisht pavarësinë ekonomike dhe, mundoheshin të krijonin ndërvarësi më të madhe ekonomike.

Por këmbngulja e Enverit në orientimin e ekonomisë nuk e pengoi Kinën ta furnizonte Shqipërinë me armë ushtarake meqënse Shqipëria adoptoi doktrinën ushtarake se…për t’u përballur me imperializmin raporti i forcave ushtarake duhet të jetë 1 me 100 dhe vetë, ushtari, të mos vritet — përmes të “papriturave” ushtarake.

Kjo nënkuptonte intesifikim të stërfitjeve dhe hulumtim të mëtejshëmm të taktikave dhe strategjive ushtarake nga oficerët e ushtrisë dhe përgatitje të lartë fizike të ushtrisë dhe popullit. Ishte pikërisht kjo qasje, e cila buronte nga sulmet me diversantë që pësonte vendi nga vendet fqinje dhe jo vetëm, që çoi në ngritjen e industrisë ushtarake, bunkerëve dhe trasheve, si asnjë herë në historinë e Shqipërisë.

Për të njëjtën arsye —të sigurisë së lartë ushtarake— elita komuniste ishte gati të sulmonte Jugosllavinë, nëse kjo e fundit cënonte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, dhe ta çlironte e ta bashkonte me Shqipërinë. Argumeti se industria ushtarake ishte e panevojshme, apo marrëzi e Enverit, është tejet naiv: sepse qoftë edhe nëse konsiderojmë një vend me thuajse madhësinë e vendit tonë, Zvicrën, ai vazhdon të jetë i fortë ushtarakisht dhe një ndër vendet kryesore që nuk mund të thyhet lehtë nga agresorët e mundshëm.

Siç citon një analizë ushtarake: Zvicra ka hartuar një plan mbrojtës në shekullin e 19-të që përdor Alpet si bllokadë për çdo agresion. Plani lejoi përforcimin e Alpeve dhe vazhdoi pas Luftës së Dytë Botërore…ushtria Zvicerane ka minuar gjithë malet dhe infrastrukturën, siç janë rrugët dhe urat, për t’i shpërthyr në rast agresioni me qëllim që agresorët të humbasin kohë dhe energji për të gjetur rrugë të përshtatshme për të hyrë në vend. Shumë tunele, bunkerë dhe fortesa janë ndërtuar brenda maleve që mund të strehojnë një dizion të plotë ushtarak, duke i përdorur si pika të përshtatshme ushtarake për të sulmuar agresorin…Zvicra ka rreth 150,000 ushtarë aktivë…nëse vendi sulmohet – thuajse 4,000,000 qytetarë janë të gatshëm për shërbim ushtarak me një 3,000,000 tjetër të gatshëm për shërbim.

Pa përmedur vendet e tjerë, siç është SHBA-ja, Britania, Rusia, Gjermania dhe Kina, Japonia, Koretë dhe vende të tjetër, që janë armatosur deri në dhëmbë.  Kështu, Shqipëria, kishte çdo arsye për t’u armatosur në kohën e socializmit: sepse kërcënohësh në mënyrë të përhershme nga fuqitë e huaja, të cilat përdornin djalin e Zogut dhe ish-pronarët e kohës së tij për të minuar socializmin. Në nivel kulturor, elita komuniste përdori me të drejtë vallet, këngët dhe veshjet tona tradicionale. Kjo qasje zhvilloi për herë të parë në vendin tonë artin muzikor, të valleve dhe veshjeve në një nivel mjaft të lartë. Ideologjia mbizotëruese, rrjedhimisht, ishte së pari kombëtariste, dhe së dyti, marksiste-leniniste me doza të vogla enveriste…

Përfundimi i të gjitha këtyre është se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nënkuptonte se do të sillte lirinë politike për popullin, siç duhet të kuptohet: duke ushtruar pushtetin politik dhe jo duke e deleguar atë. Por s’ndodhi kështu. Për dy qeveritë e para —Qemalit dhe Nolit— për shkak të kohës, ideologjisë mbizotëruese që ishte krijuar përgjatë pesë shekujve të fundit nga Perandoria Osmane dhe mungesës së plan-projektit për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve historike. Për qeverinë e Zogut, për shkak të sintezës së bredshme dhe padijes lidhur me rezultatin përfundimtar të sintezës.

Dhe për qeverinë e Enverit, siç kam treguar edhe në vend tjetër,  për shkak të sintezës dhe teorisë kontradiktore. Sepse teoria, në vetvete, siç citon edhe Kastoriadis, është një bërje, orvatje e vazhdueshme e pasigurt për të kuptuar projektin e qartësimit të botës… momenti i kthjellimit përfshihet çdoherë në bërje. Ai nuk rezulton nga kjo se bërja dhe teoria janë gjithnjë simetrike në çdo nivel, çdonjëri duke mbështjellë tjetrin. Bërja përbën universin e njeriut, në të cilin teoria bën pjesë si një pjesë. Njerëzimi përfshihet në një aktivitet shumë formash ndërgjegjësore, ai e përcakton veten e tij si bërje (e cila përfshin qartësimin në kontekstin e tij dhe në lidhje me bërjen si një domosdoshmëri, por jo si moment sovran). Teoria si e tillë është një bërje e veçantë, ajo shfaqet menjëherë sa momenti i qartësimit bëhet një projekt në vetvete. Në këtë kuptim, dikush mund të thotë se atje është në të vërtetë një ‘prioritet i arsyes praktike’. Dikush mund ta kuptojë se, dhe në të vërtetë atje ekzistonte për mijëra vjet, një njerëzim pa teori; por atje nuk mund të ekzistojë një njerëzim pa bërje/punë.

Një marrëveshje e tillë për historinë e njerëzimit do të përcaktonte për më shumë se dyzet vjet, dhe në disa raste vazhdon të përcaktojë (Kore etj.) fatet e miliona njerëzve rreth botës. Ndaj është e nevojshme të kuptohet sot më shumë se kurrë, se njerëzimi nuk ka më nevojë për teori që të shpëtojë njëherësh nga makthi i pamjaftueshmërisë, dështimet dhe rrënimet social-ekologjike.

Por ai ka nevojë për demokraci politike dhe krijimin e një realiteti të ri për të luftuar ideologjinë [apo çdolloj teorie që buron nga një pushtet politik ose ekonomik] përmes përdorimit të versioneve të realiteteve alternative, të cilët, megjithëse jo të themeluar mbi ndonjë shkencë ‘objektive’ ose analizë, ende nuk janë thjesht të bazuar mbi një ‘gjuhë logocentrike’, por mbi këndvështrime alternative të realitetit social, të cilin ne e kuptojmë përmes një analize ‘subjektivisht’ racionale të tij. ‘Subjektivisht’, sepse ne përdorim një kriter të veçantë që kemi zgjedhur paraprakisht për ta bërë atë. ‘Racional’ sepse analiza jonë përdor vetëm arsyen në procesin e informacionit dhe vlerësimit të përshkrimeve alternative të realitetit sesa intuitat ose rrugë të tjera irracionale të të menduarit.

Kjo nënkupton se një objektiv radikal i lëvizjeve nuk duhet të jetë thjesht për të luftuar për krijimin e një fronti anti-neoliberal (siç sugjerojnë disa tek e Majta) ose një lëvizje anti-globale, meqenëse as neoliberalizmi as globalizmi nuk mund të ndalohen në kuadrin prezent institucional të ekonomisë së marketingut dhe ‘demokracisë’ liberale. Objektivi i vërtetë radikal, siç sugjeron edhe Fotopoulos, është lufta për krijimin e një lëvizje anti-sistemike që synon në baras-ndarjen e pushtetit politik dhe ekonomik. Kjo nënkupton nevojën e një politike të re çlirimtare, si ajo që propozon projekti i ‘Inclusive Democracy’, që do të jetë sinteza e politikës ‘universaliste’ që karakterizoi lëvizjet radikale të modernitetit të ‘politikave të mospërputhjes’, të cilat erdhën në planin e parë në çerekun e fundit të një shekulli me shfaqjen e ‘lëvizjeve sociale të reja’.

Një çlirim i tillë nuk duhet të synojë vetëm në çlirimin nga dhuna e kapitalit të huaj, sa i përket dhunës që ushtrohet nga vendet e mëdha mbi vendet e vogla, si pasojë e efektit hegjemonik që lind në çdo bashkim ekonomik, një efekt që bota moderne e përjetoi në, fjala vjen meqenëse është i freskët, konglomeratin Jugosllav, ku Serbia, duke qenë me shumicë të konsiderueshme popullate, ushtronte dhunë institucionale mbi vendet e periferisë, pavarësisht principeve më të mira krahasuar me principet prezente neoliberale dhe kapitaliste që kishte adoptuar, por duhet të synojë zhvillimin e ‘urtësisë politike’ që duhet të ushtrojë çdonjëri në vendin dhe komunitetin ku banon.

Kështu, pavarësisht keqpërdorimit të saj tre shekujt e fundit, politika, siç citon Aristoteli, është kryesisht urtësi praktike dhe shqetësohet me fundin e veprimeve sociale; urtësia praktike, me rradhë, identifikohet veçanërisht me llojet e tjera të urtësive, njëra është quajtur kullandrisje, tjetra legjislacion, e treta politikë, dhe te kjo e fundit një pjesë quhet kundrusese dhe tjetra juridike … por, si në gjithë shkencat e tjera, ashtu dhe në politikë, është e pamundur që të gjitha gjërat duhet të shkruhen ekzaktësisht; sepse shpalljet duhet të jenë universale, por veprimet shqetësohen me veçoritë.

Prej kësaj, kur ne deduktojmë se ndonjëherë dhe në disa raste ligjet mund të ndryshojnë; por kur ne shohim mbi këtë çështje nga një këndvështrim tjetër, vëmendje e madhe duhet të kërkohet. Sepse zakoni i ndryshimeve të ligjeve sadopak është një e keqe, dhe kur avantazhi është i vogël, disa gabime njëherësh të ligjbërësve dhe sunduesve do të ishte më mirë të lihen; qytetarët nuk do të fitojnë kaq shumë duke bërë ndryshimin, sepse ai [ligjbërësi] do të humbasë nga zakoni i mosbindjes.

Analogjia e arteve është gabim; një ndryshim në ligj është një gjë shumë ndryshe nga një art. Sepse ligji bart pushtet për të urdhëruar bindje përveç atij të zakonit, i cili mund të jepet me kalimin e kohës, me qëllim që një përgatitje e ndryshimit nga ligjet e vjetër në të rinj të ligështojë pushtetin e ligjit.

Pushteti i ligjit, në fjalë të tjera, me shpalljen e tij, duhet të përfshijë pushtetin e zakonit, të veçantës ose gjithë virtytet: të shkurtosh të veçantën e zakonit në favor të ligjit do të ishte gabim, sepse krijon fenomenin e parë dualistik që shfaqet midis zgjedhjes së njërës ose tjetrës, d.m.th fenomeni ‘ose… ose’, duhet të eliminohet sa herë që atje ndërmerret një shpallje ligji me efekt universal; në vend të tij, një shoqëri duhet të zhvillojë një fenomen ligjor jo-dualistik dhe pluralistik, që të karakterizohet nga ‘si dhe’, ose ligji dhe zakoni, duhet të brendësohen njëherësh në ndërgjegjen e qytetarëve.

Vetëm përmes këtij procesi, ligjbërësit – vetë qytetarët – do të kenë mundësi që politikën ta konsiderojnë, ndryshe politika aktuale, njëherësh kundrim dhe ligj —‘si dhe’— urtësi dhe ndërmarrje racionale.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0