PSD: Mos u dorëzoni para interesave private të “të fuqishmëve”, ruajtja e Lumbardhit është betejë kundër krimit mjedisor

PSD: Mos u dorëzoni para interesave private të “të fuqishmëve”, ruajtja e Lumbardhit është betejë kundër krimit mjedisor

Partia Socialdemokrate solidarizohet me qytetarët e Pejës në kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Lumbardh.

Të konsideruara si projekte strategjike të investimeve nga Komiteti Ndërministror për Investime Strategjike, propozimet e paraqitura nga “Kelkos Energy” për ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e lumit “Lumbardhi” , PSD-ja thotë se janë një dëm i madh ndaj mjedisit dhe do të sjellin pasoja të mëdha për qytetarët e Pejës.

“Dëshmia më e mirë është në fqinjësi, në Deçan, ku e njëjta kompani ka ndërtuar tre hidrocentrale dhe sot fshatra të shumta përballen me reduktime të ujit. Nuk mund të quhet investim strategjik asnjë projekt që e shkatërron natyrën dhe potencialin turistik. Një investim i tillë është po ashtu në kundërshtim me Planin Zhvillimor Komunal, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Pejës, që ndalon investimet në hidrocentrale. Si zakonisht, historia duket se përsëritet : procedura ligjore të parespektuara, degradim i mjedisit lokal dhe vendimmarrës të papërgjegjshëm”, thuhet në komunikatën për media.

Partia Socialdemokrate konsideron se rezistenca ndaj ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh nuk është vetëm çështje e qytetarëve të Pejës, por e gjithë shoqërisë në Republikën e Kosovës.

“Qytetarët e Republikës nuk duhen të dorëzohen para interesave private të të “fuqishmëve”, të cilët eksploatojnë resurset natyrore për interesa të ngushta private, në emër të investimeve “strategjike” dhe “zhvillimit ekonomik”. Ftojmë çdo institucion dhe qytetarë të Republikës që të organizohen e mobilizohen për ta kundërshtuar ndërtimin e këtyre hidrocentraleve. Ruajtja e lumit “Lumbardh” është sot pjesë e betejës sonë shoqërore kundër krimit mjedisor”, thuhet në fund të njoftimit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0