Në takimin e serbëve në Veri të Mitrovicës po marrin pjesë 120 delegatë dhe përfaqësues të 10 komunave me shumicë serbe.
Mbledhja po mbahet në objektin ku ishte arrestuar Marko Gjuriq të hënën e kaluar. Në binë, serbët kanë vendosur logon e Asociacionit.
Lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se e kanë njoftuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “nëse Prishtina nuk e formon Asociacionin, atëherë më 20 prill do të formojmë atë vetë dhe kështu do të realizojmë marrëveshjen nga Brukseli”.
Lista Srpska dje kishte shpallur edhe datën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe derisa kishin njoftuar vendimin për largim nga Qeveria e Kosovës. Por, pas takimit të Vuçiqit me Mogherinin dje në Beograd, Presidenti serb nuk foli për këtë çështje.
Përfaqësues të serbëve përfshirë ata të Listës Srpska, dhe ndihmësi i Gjuriq janë mbledhur pikërisht në vendin ku është arrestuar Marko Gjuriq në “Pallatin e Mitrovicës”.
Ata takimin e kanë filluar në orën 12:44 duke riafirmuar qëndrimin pro rezolutës 1244. ndërsa kanë theksuar se do ta themelojnë Asociacionin nëse këtë nuk e bën Prishtina.
Igor Simiq nga Lista Srpska ka thënë se kanë marrë përkrahje nga Presidenti i Serbisë që nëse përsëriten ngjarjet e dy ditëve më parë ata nuk do të rrinë duke shikuar.
Simiq ka thënë se Lista Srpska do të jetë opozitë e fortë në Parlamentin e Kosovës ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa Ivan Todosijeviq, i cili është ende ministër në Qeverinë e Kosovës nga Lista Srpska dhe përfaqësues nga “organet e përkohshme të Komunës së Zveçanit” ka thënë se serbët do ta formojnë Asociacionin nëse këtë nuk e bëjnë Prishtina dhe Perëndimi.
COMMENTS