Prokurorja Hajdari u kërcënua në komente në Fb, policia nis hetimet

Prokurorja Hajdari u kërcënua në komente në Fb, policia nis hetimet

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari ka deklaruar se ka pranuar kërcënime serioze sot. Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet.

Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi i ka thënë Gazetës Express se prokuroria Hajdari sot është paraqitur në stacion policor për të raportuar një rast kërcenimi dhe se e njejta është duke u intervistuar.

“Mund të konfirmojmë se e njëjta sot është paraqitur në stacion policor, për ta raportuar një rast, për të cilin është duke u intervistuar. Rasti do të trajtohet nga njësitet relevante policore, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente”, ka thënë Krasniqi.

Burimet e Express brenda organeve të hetuesisë bëjnë me dije se Hajdari është kërcenuar nga dy persona në rrjete sociale, të cilët kanë komentuar në lajmin e publikuar nga një portal.

Ndërkohë, vetë Hajdari ka deklaruar se kërcënimi i ka ardhur si pasojë e fushatave linçuese ndaj saj.

“Mund të konfirmoj se kam pranuar kërcënime serioze. Jam në polici për momentin. Kjo është krejt pasojë e fushatave linquese ndaj meje”, tha Hajdari.

Së fundmi, Hajdari dështoi me aktakuzën ndaj rastit “Pronto” pasi s’arriti të bindë gjykatën që t’i dënojë të akuzuarit në rastin “Pronto”. Pavarësisht se të gjitha veprimet ishin bërë në koordinim me shefat partiakë e qeveritarë, Hajdari s’i kishte ftuar as si dëshmitarë Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët kishin vendosur për gjithçka që kishte ndodhur me punësimet partiake.

Prokurorja e Pronto’s kishte dështuar edhe me aktakuzën ndaj Enver Hasanit e Famtir Limajt, të cilët janë shpallur të pafajshëm. Njëri për korrupsion e tjetri për krime lufte.

Prokurorja Speciale që ka kompetenca për të hetuar prej veprave më të rënda si ato të terrorizimit e deri te vrasjet e krimin e organizuar paguhet gati 3 mijë euro në muaj. Në deklarimin e fundit të pasurisë, ajo ka thënë se në muaj merr saktësisht 2 mijë e 907 euro në muaj apo 34 mijë e 884 euro në vit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0