“Prokurorët në Kosovë ngrenë aktakuza ndaj të vdekurve”

“Prokurorët në Kosovë ngrenë aktakuza ndaj të vdekurve”

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, hapi konferencën për media ku shpalosi raportin “Prokurorët në Kosovë ngrenë aktakuza ndaj të vdekurve”.

Rastet janë identifikuar nga monitorimi sistematik, derisa Miftaraj tha se ky raport është rezultat i monitorimit të seancave gjyqësore në dy vitet e fundit.

Ai shtoi se IKD ka monitoruar mbi 10 mijë seanca gjyqësore në Kosovë, transmeton Koha.net.

“Vetëm gjatë dy viteve të fundit ka pasur numër të konsiderueshëm të rasteve ku prokurorët e shtetit ngrenë aktakuza ndaj të vdekurve”, tha ai.

Ai shtoi se kjo bëhet ngase ngrihet aktakuzë pa u zhvilluar hetime fare.

Arrita Rrezniqi nga IKD, tha se në bazë të procesit sistematik të monitorimit të të gjitha seancave gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës, vetëm gjatë dy viteve pati numër të konsiderueshëm të rasteve kur në shqyrtim fillestar gjyqtarët janë detyruar që ta pushojnë procedurën për shkak se të akuzuarit kanë qenë të vdekur.

“Madje, ata kanë qenë të vdekur edhe para ngritjes së aktakuzës”, tha ajo.

Sipas Rrezniqit, në gjykatë, prokurorët kanë dorëzuar aktakuza ndaj të vdekurve.

Yll Zekaj nga IKD-ja tha se me ngritjen e këtyre aktakuzave po dëmtohet edhe buxheti i shtetit dhe po krijohet mosbesim nga ana e qytetarëve.

“Përveç ato shkelje që u përmenden më herët, kemi edhe pasoja në buxhetin e shtetit, kur e dimë se automatikisht në çdo rast të pushimit të procedurës nga ana e gjyqësorit, e në këtë rast është e domosdoshme kur një i pandehur gjendet i vdekur, atëherë me pushimin e këtyre procedurave dëmtohet drejtpërdrejt buxheti i shtetit. Përveç dëmtimit të buxhetit, kemi edhe pasoja të tjera, siç është ulja e reputacionit të gjyqësorit, pastaj mosbesimi nga ana e qytetarëve dhe dëmtimin e pasigurisë juridike të qytetarëve”, tha Zekaj.

IKD-ja ka rekomanduar që prokurorët të sigurojnë që mos të cenohet siguria juridike e qytetarëve dhe të zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që garantojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale.

COMMENTS

WORDPRESS: 0