Presidenti Thaçi e punësoi nipin në Telekom

Presidenti Thaçi e punësoi nipin në Telekom

Drilon Thaçi, nipi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi (djali i vëllaut) dhe Vesmira Haradinaj, kunata e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka disa muaj që punojnë bashkërisht në departamentin e marketingut të Telekomit të Kosovës, raporton portali “Front Online”.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka konfirmuar për portalin “Front Online” se Drilon Thaçi, siç ka thënë ai, ka kohë që punon nëTelekom si zyrtar i marketingut.

“Kolegu në fjalë ka kohë që punon në Telekom si zyrtar i marketingut”, ka thënë Istrefi.

Portali “Front Online” ka mësuar se nipi i presidentit Hashim Thaçi është “rehatuar” në Telekom gjatë mandatit të ish-kryeshefit, Agron Mustafa.

Ndërsa kunata e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj është punësuar gjatë mandatit të këtij të fundit në Qeverinë e Kosovës.

Në Telekomin e Kosovës viteve të fundit janë punësuar qindra militantë partiak, ndonëse ndërmarrja ka vite që operon me bilanc negativ dhe po përballet me gjendje të rëndë financiare.

Mediet kanë raportuar për punësime të vazhdueshme politike në Telekom, duke përfshirë këtu ish-anëtarin e Bordit të Telekomit, Osman Ejupi, i cili punësoi katër familjarë në këtë ndërmarrje dhe për shkak të presionit publik u detyrua të japë dorëheqje nga detyra.

Familjarë në Telekom së fundi ka punësuar edhe ish-deputeti i AAK-së, MuharremNitaj, ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, etj.

Përndryshe, në Departamentin e marketingut në Telekom, ku punojnë nipi i presidentit dhe kunata e ish-kryeministrit, janë angazhuar mbi 120 veta, numër ky shumë i madh marrë për bazë gjendjen financiare që ndodhet kompania publike. /Front Online/

COMMENTS

WORDPRESS: 0