Potenciali i agro-turizmit dhe kthimi i fshatit në modë

Potenciali i agro-turizmit dhe kthimi i fshatit në modë

Nga: Blerina Hoxha

Kombinimi i bujqësisë me turizmin po shndërrohet në një model të suksesshëm biznesi për zonat rurale. Fermat-restorant ose bizneset e argo-turizmit po sjellin më shumë të ardhura se serat me perime dhe stallat e blegtorëve. Ato po krijojnë ekonominë e shkallës dhe ndihmojnë në zbutjen e varfërisë në fshat. Mrizi i Zanave, si modeli i suksesit tashmë i markuar ndërkombëtarisht, po përhapet me shpejtësi në fshatra të tjerë të vendit. Si po rrezikon sektori nga mbi-investimet pa përvojë dhe politikat që ka qeveria për zhvillimin e tij.

Para 10 vitesh, Fishta e Lezhës ishte si të gjithë fshatrat e tjera të Shqipërisë, me toka djerrë e të rinj në emigracion, që trashëgoi mbiemrin e poetit të madh Gjergj Fishta dhe burgun famëkeq të disidentëve ndaj komunizmit, deri sa vëllezërit Prenga u rikthyen për ta ndryshuar përgjithmonë. Ngritja e një restoranti në tokat e familjes, i mbështetur në traditë dhe prodhimet e zonës shumë shpejt i ka dhënë një dimension tjetër zonës, duke e përfshirë në guidat turistike vendase dhe të huaja. Biznesi i bazuar në agroturizëm, jo vetëm që po siguron të ardhurat për familjen Prenga, por po zhvillon ekonominë e shkallës në të gjithë zonën përreth, duke ringjallur bujqësinë dhe turizmin njëkohësisht.

Mrizi i Zanave

Modeli “Mrizi” po përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin, pasi përvojat e pakta kanë treguar se në krahasim me fermat e bagëtive dhe serat në fushë, agroturizmi, një biznes mes bujqësisë dhe turizmit, ka më shumë leverdi. Mirëpo vërshimi i industrialistëve të Tiranës që kërkojnë të investojnë tepricat e tyre në këto lloj biznesi mund t’ia rrezikojnë për shkak se, biznesi në fshat kërkon veç të tjerash, lidhje shpirtërore.
Altin Prenga, administratori i Mrizit të Zanave thotë se agroturizmi është një sektor me të ardhme në vendin tonë dhe aktualisht është i zhvilluar nën potencialet që ka. Por zoti Prenga thotë se ky lloj biznesi nuk bëhet duke u ngrysur në qytet e duke bërë hotele dhe restorante luksi në fshat. Lidhja me fshatin duhet të jetë e natyrshme, përveç dëshirës dhe mundësive financiare. Agroturizmi nuk mund të jetë i tillë nëse nuk organizohet komuniteti në të gjithë zonën për të orientuar zinxhirin e prodhimit.

Por, përtej të gjitha vështirësive të momentit, argroturizmi është një trend i ri biznesi. Fermat ekzistuese po rrisin të ardhurat dhe punësimin me mbi 20% në vit, por infrastruktura e dobët dhe mungesa me politika mbështetëse janë si shkopinjtë poshtë rrotave.
Selim Cerpja, nga ferma Huqi, tha se aktiviteti po rritet nga viti në vit. Në tre vite aktivitet, biznesi i agroturizmit Huqi ia ka dalë të krijojë një emër të mirë dhe gjithashtu të ardhura. Zoti Çerpja thotë se aktiviteti i tij ka në themel shërbimet e restorantit bazuar tek tradita me prodhimet e zonës. Ferma Huqi bëri emër të mirë për shkak të investimit miqësor me natyrën, por zgjerimi i mëtejshëm po bëhet i vështirë, për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Të njëjtin shqetësim kanë edhe administratorët e Kantinës Nurellari në Berat. Leventi, një nga pjesëtarët që merret me biznesin e familjes tha se, kantina po zgjerohet në agroturizëm ku, përveç degustimit të verës do të ofrohet restorant me prodhime vendase dhe një minihotel. Mirëpo rruga që lidh kantinën me aksin nacional dhe me qytetin e Beratit është një tmerr i vërtetë që krijon imazh negativ për vizitorët. Infrastruktura, si furnizimi me ujë dhe me energji elektrike, janë po aq problem, – tha Nurellari. Sipas tij, agroturizmi dhe përgjithësisht turizmi rural do të zhvillohet vetëm nëse investohet në infrastrukturë, në rrugët që lidhin fshatrat me potenciale me akset nacionale.

Ndërkohë, në Veri të vendit, 7 Spring Bio Farm, një fermë me 3100 krerë bagëti, rreth 1000 shpendë dhe 200 koshere me bletë e ka bazuar aktivitetin në modelin e staneve të vjetra në malet ndërmjet Shkodrës dhe Pukës. Ajo është certifikuar për prodhimet organike dhe është një nga më të mëdhatë në Europë e kësaj linje, por krijimi i saj ka kaluar nëpër sfida të mëdha që krijoi mungesa e infrastrukturës dhe së fundmi pamundësia për të eksportuar për shkak të mosangazhimit të qeverisë.
Administratorja e saj, Loreta Mere, tha se konsumatorët dhe vizitorët e kanë nxitur të hapë një restorant të cilin shumë shpejt ka në plan ta bëjë realitet. Krahas restorantit, Mere po mendon të zhvillojë edhe një guidë turistike, pasi peizazhi në të cilin ndodhet ferma ofron shumë në këtë drejtim.

Ministria e Bujqësisë, tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm teksa vlerësoi se fermat bujqësore nuk ishin fitimprurëse nëse nuk kishin më shumë se 20 hektarë. Fermat e mëdha të kafshëve prodhojnë produkte me kosto të lartë, për shkak se nuk mbështeten me zinxhirin ushqimore. Copëzimi i madh i tokës, ku sipërfaqja mesatare e një ferme nuk është 1.03 hektarë, problemet e pronësisë, mekanizimi i dobët i kanë bërë bizneset e sektorët të vuajnë nga produktiviteti i të ulët, teksa agroturizmi po shihet si shpresëdhënës për riorientimin e investimeve në sektor.

COMMENTS

WORDPRESS: 0