Politika pengon Kosovën të menaxhojë hapësirën e vet ajrore

Politika pengon Kosovën të menaxhojë hapësirën e vet ajrore

Pengesat politike dhe ato teknike kanë bërë që hapësira e lartë ajrore vazhdon të menaxhohet nga kompania hungareze, ndonëse në këtë muaj i kalon afati kontratës pesë vjeçare për kontroll. Kurse, hapësira e ulët ajrore për shkak të pengesave politike vazhdon të kontrollohet nga NATO dhe KFOR-i.

Kështu ka deklaruar nga drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Eset Berisha i cili sot ka raportuar para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me Raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për vitin 2018.

Berisha gjatë këtij raporti ka thënë se mos kontrolli i hapësirë ajrore të Kosovës nga autoritet kosovare e rrezikon sigurinë shtetërore, prandaj kërkoi ndërveprim institucional.

Ai u shpreh se ASHNA është e gatshme që të kontrolloj hapësirën ajrore por pengesë është politika.

“Kur e përmenda se ASHNA nuk i ka kapacitetet për të marr nën kontroll hapësirën e lartë ajrore e kisha parasysh investimet të cilat me softuerë të caktuar, jo me radarë sepse ai është bërë dhe është jashtë funksional dhe është mjaftë i avancuar sa që pak shtete të rajonit e kanë një radarë të tillë por nevojiten ato pjesë përcjellëse do thotë ato mekanizma ato procese që bëjnë leximin e të dhënave nga ai radarë në mënyrë që të bëhet menaxhimi i trafikut ajror. Do thotë kjo mungon menaxhimi i trafikut ajror dhe pa këtë softuerë të caktuar që quhet ITM nuk mund të merren ato përgjegjësi në hapësirën e lartë ajrore për një kohë të caktuar. Në radhë të parë është natyra politike atë marrëveshja e ka nënshkruar NATO, komandanti i KFOR-it me Hungaro controll, autoritetet kosovare nuk kanë marr pjesë, pa u largua ajo marrëveshje dhe ajo largohet në momentin kur të piqen kushtet”, tha ai, raporton Kosovapress.

Berisha si shqetësim të Autoritetit që ai e udhëheqë e ka paraqitur pamundësinë e trajnimit të stafit punues, dhe pamundësinë për rekrutim të punëtorëve në mungesë të buxhetit.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha Shala kërkoi të di se cilat janë pasojat nëse nuk realizohen trajnimet e duhur për stafin. Ajo pyeti edhe për mundësitë e hapjes së korridoreve tjera ajrore me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Ne i dimë pengesat që i paraqet Serbia për ta shfrytëzuar korridorin që lidhet me Serbinë, por pse nuk ka ende hapje të korridoreve të reja me Shqipërinë, Malin e Zi, së paku me këto dy shtete, dhe së paku kur pritet të hapen këto korridore të reja sepse mos hapja e tyre siç edhe e keni përmendur në raport reflekton në kosto të fluturimeve”, tha Shala.

Lidhur me këtë Berisha tha se hapja e korridoreve të reja ajrore ka të bëjë me normalizimin e hapësirës së ulët ajrore.

“Nuk kemi korridore ajrore ende me Republikën e Shqipërisë as me Malin e Zi dhe as me Serbinë, në momentin kur të normalizohet hapësira e ulët ajrore do të kemi mundësinë që të hapim korridore të reja ajrore me Shqipërinë, ne kemi avancuar mjaftë mirë dhe i kemi identifikuar edhe korridoret ajrore, por me Malin e Zi dhe me Republikën e Serbisë ende nuk kemi një gatishmëri për një gjë të tillë”,u shpreh ai.

Pyetje për të parin e Autoritetit të Aviacionit Civil pati edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e cila kërkoi të dijë se sa do ishte kostoja që duhet të investohet në infrastrukturën ajrore me qëllim që hapësira ajrore e Kosovës të kontrollohet nga institucionet tona.

Pyetje të njëjtë pati edhe anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik nga radhët e PSD-së, Dardan Sejdiu i cili kërkoi shifra të sakta se sa para i duhen Aviacionit Civil për tu pajisur me teknik adekuate.

“Pyetja ime është në centë e që ne si deputet kështu edhe mundemi me iu qasur si diskutim kësaj pune, çfarë vlere jemi duke folur dhe për çfarë projekti konkret jemi duke folur që me i zgjedh problemet teknike”, ka deklaruar Sejdiu.

Berisha lidhur me këtë çështja tha se radarin e posedojnë por që u mungon një softuerë kostoja e të cilit është 10 milionë euro.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lufti Zharku shprehi dilemat e tij sa i takon asaj se mundësitë teknike po e pamundësojnë që hapësira e lartë ajrore të kontrollet nga autoritetet kosovare, pasi sipas tij, janë vetëm pengesat politike ato që po ndikojnë në këtë aspekt.

Rreth çmimit të lartë të biletave dhe inspektorëve pyetje pati anëtari i komisionit për Zhvillim Ekonomik nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.

Ndërsa për këtë, drejtori i AAC-së, Eset Berisha tha se kjo është më shumë kompetencë e ministrisë së Infrastrukturës, por që si autoritet kanë edhe një plan të nxitjes së kompanive ajrore.

Nitaj ka pyetur se a janë gjasat që institucionet e Kosovës ta marrin nën kontroll hapësirën e ulët ajrore brenda këtij viti.

E në përgjigjen e tij, Berisha tha se afate nuk mund të japin, por se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Nuk guxojmë asnjëherë të dorëzohemi nga qëllimet dhe nga synimet tona si institucione të këtij vendi por mbetet të shihet modaliteti i duhur politik për të arritur këtë qëllim, për momenti bartës i këtij procesi është NATO dhe KFOR-i dhe ne jemi në kontakte të vazhdueshme me ta në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje e pranueshme edhe për ata por edhe për ne për të realizuar këtë qëllim. Se a do të realizohet deri në funt të këtij viti apo jo këtë nuk mund ta them”, tha Berisha.

Gjatë raportimit të tij para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha bëri të ditur se kanë kryer 37 inspektime të aeroplanëve dhe kanë bërë ricertifikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” si dhe kanë certifikuar qendrën për mjekësi të aviacionit.

Berisha po ashtu ka potencuar se edhe Ligji i Punës përkatësisht çështja e pushimit dhe orari i punës kanë qenë si vërejtje i ka paraqitur Komisioni Evropian për Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës, për çka kërkoi edhe një vëmendje nga deputetët në këtë drejtim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0