Policia e Kosovës në  mbikëqyrje të respektimit të targave “RKS”

Policia e Kosovës në mbikëqyrje të respektimit të targave “RKS”

Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme është duke kryer veprime në të gjitha pikat kufitare, me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues. Përmes Facebookut, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, saktësisht çështjen e targave të automjeteve.

“Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, thuhet në shkrimin e Sveçlës.

Ai njofton se nga 15 shtatori s’ka në qarkullim asnjë veturë me targat “KS”, duke thënë se targat e vetme ligjore janë ato me denominimin “RKS”

“Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, thuhet tutje.

Sipas vendimit të lëshuar nga MPB-ja, obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës

“Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të R. së Kosovës, obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa në mjet, vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë”, thuhet në pikat e vendimit.

Image

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0