Përzgjedhja e Bordit të KOSTT: Ambasada Britanike demanton Kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik

Përzgjedhja e Bordit të KOSTT: Ambasada Britanike demanton Kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik

Ambasada Britanike ka demantuar Kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, në lidhje me panelin përzgjedhës të Bordit të KOSTT, shkruan EkonomiaSot.

Sipas ligjit në fuqi, detyra për përzgjedhjen e Bordit të KOSTT i takon Komisionit për Zhvillim Ekonomik, i cili ia rekomandon Kuvendit për votim nga dy kandidatë për secilën pozitë të lirë në Bord.

Para dy javësh kishte një përplasje në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës në lidhje me këtë temë. Arsyeja ishte numri prej tre anëtarëve të caktuar në panelin përzgjedhës për Bordin e KOSTT, që ishte caktuar në vetëm tre anëtarë.

Përderisa deputetët e opozitës insistonin që numri i panelistëve të rritej nga tre në 4, në mënyrë që të kishte 2 anëtarë nga pozita dhe 2 tjerë nga opozita, deputetja Sala Berisha-Shala, e cila njëherish është edhe Kryetare e Komisionit, insistoi që paneli të mbetej me tre anëtarë, sepse sipas saj kështu kishte kërkuar Ambasada Britanike.

Por, në këtë ambasadë mohojnë të kenë bërë një propozim të tillë.

Në përgjigjen e kësaj Ambasade dhënë për EkonomiaSot thuhet se paneli emërohet nga institucionet e Kosovës dhe se nuk mund të ndërhyjnë në këto çështje.

“Partneri zbatues, i cili po ndihmon në procesin rekrutues për anëtarë të KOSTT, nuk jep rekomandime për numrin e anëtarëve të panelit. Sipas legjislacionit të Kosovës, paneli emërohet nga institucionet e Kosovës dhe partneri nuk mund të ndërhyjë. Pra është plotësisht në përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës të shtojnë apo zvogëlojnë numrin e anëtarëve të panelit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike dhënë për EkonomiaSot.

Madje britanikët thonë se në disa raste institucionet nuk i kanë marrë parasyshë rekomandimet e tyre.

“Partneri zbatues pas çdo procesi rekrutues përgatit një raport ku përshkruhet procesi dhe renditen kandidatët sipas pikëve të fituara. Ky raport i dërgohet Kryetarit të Kuvendit si dhe Kryeministrit të Kosovës. Vlen të theksohet që ky raport i vlerëson kandidatët në mënyrë të pavarur nga paneli vlerësues Kosovar dhe renditja e kandidatëve jo gjithmonë është e njejtë me atë të panelit Kosovar. Prandaj ne i rekomandojmë institucioneve të Kosovës që të marrin parasysh raportet e partnerit zbatues gjatë emërimeve, gjë që në disa raste nuk është përfill nga disa institucione Kosovare”.

Pjesëmarrës në Panelin për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Kosotit janë kryetarja e komisionit, Sala Berisha- Shala, dhe deputetët, anëtarë të komisionit, Hykmete Bajrami dhe Adem Hoxha.

COMMENTS

WORDPRESS: 0