Sërish dështon shitja e bonove të thesarit, rritet dyshimi nëse qeveria mund t’i kthejë borxhet (dokument)

Sërish dështon shitja e bonove të thesarit, rritet dyshimi nëse qeveria mund t’i kthejë borxhet (dokument)

Hiç më larg se muajin e kaluar, EkonomiaSot raportoi se qeveria e Kosovës kishte dështuar të shiste bonot e thesarit përmes ankandit në BQK. Kjo gjë po duket që ka filluar të bëhet e zakonshme gjatë këtij mandati.

Nga dokumenti i siguruar nga BQK, shihet se edhe këtë muaj qeveria ka dështuar të shesë bonot e thesarit me sukses. Nga 20 milionë euro sa ka ofruar t’i shesë, qeveria ka arritur t’i plasojë vetëm 12 milionë euro.

EkonomiaSot madje mëson se edhe norma e interesit është rritur. Përderisa në shitjet e kaluara norma e interesit ka qenë nën 1%, tani ajo pothuajse është dyfishuar në 1.90%.

Ekspertët vlerësojnë që rritja e normave të interesit do të duhej t’i bënte bonot e thesarit më të levërdishme për investitorët. Mirëpo kjo nuk po ndodhë sepse investitorët nuk janë të gatshëm t’i japin borxh qeverisë, qoftë edhe me kamata më të larta.

Kjo nënkupton se në tregjet financiare ka filluar të rritet dyshimi nëse kjo qeveri ka kapacitet të kthejë borxhin e marrë, raporton EkonomiaSot.

Borxhi i shtetit të Kosovës tashmë ka tejkaluar shifrën 1 miliardë euro.

Bonot e thesarit janë formë me anë të së cilës qeveria merr para hua, dhe kërkesa për t’i blerë këto bono nënkupton edhe nivelin e besimit në Qeverinë e një vendi. Sa më e lartë të jetë kërkesa, aq më i lartë nënkuptohet të jetë besimi se qeveria po kryen punën si duhet, dhe do të jetë në gjendje të kthejë borxhin e marrë. /EkonomiaSot

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0