Përplasja Thaçi-Berisha, si e akuzuan njëri-tjetrin për lidhjet me Beogradin

Përplasja Thaçi-Berisha, si e akuzuan njëri-tjetrin për lidhjet me Beogradin

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u është përgjigjur një nga një akuzave të presidentit Thaçi në drejtim të tij. Berisha thotë se pushteti i tij nuk ka arrestuar pjesëtarë të UÇK-së. Sipas Berishës, arrestimet e ushtarëve të UÇK-së mund të ishin bërë për motive tjera, e jo për shkak të veprimtarisë së tyre kundër regjimit serb. Edhe më tutje, Berisha akuzon Thaçin se idenë e ndryshimit të kufijve e ka në bashkëpunim me Serbinë.

Edhe pas akuzave të shumta që i bëri Presidenti Thaçi për tradhti të kosovarëve gjatë viteve të ’90-ta, Sali Berisha nuk tërhiqet nga bindja e tij se ideja e Thaçit për lëvizje të kufijve ka zanafillën në Beograd.

Presidenti Thaçi ishte shumë i mllefosur me atë që dukej se e kishte mik për shumë vjet, liderin demokrat shqiptar, Sali Berishën, kur ky ia kritikoi propozimin për lëvizjen e kufijve që Thaci po e shet si ‘korrigjim të kufijve’ e ‘bashkim me Luginën’.

Në një intervistë dhënë një televizioni në Kosovë, Berisha mohoi gjithçka që e po e akuzonte Thaci, ndërsa nuk u zmbraps nga dyshimet që ka për idenë e Presidentit të Kosovës për lëvizjen e kufijve me Serbinë. Atë e quan tregti të pastër të Thaçit me Vuciqin, shkruan Express.

“Është tregti e pastër, Beogradi ka një gjë, Beogradi i nxjerr tezat në Prishtinë jo në Beograd. Çfarë thonë tezat që dalin në Prishtinë? Thonë që më mirë të marrim Preshevën se sa të humbasin Preshevën dhe Mitrovicën. Ka gjë më antishqiptare se kjo? Nuk ka mjerim më të madh se sa të përpiqesh ta pastrosh fytyrën me mbetjet e kuzhinës së Beogradit”.

Thaçi e akuzoi Berishën se ka arrestuar pjesëtarë të UCK’së gjatë luftës, ndërsa ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë thotë se asnjëherë askush nga Ushtria Çlirimtare nuk arrestuar në shtetin e tij pse ishte pjesëtar i UCK’së. Sipas Berishës kushdo që është arrestuar, kjo ka ndodhur për motive tjera.

“Absolutisht jo kurrë, kurrë  ndonjëherë. Është ë tëra trillim i atyre që janë arrestuar për motive të tjera”, ka thënë Berisha.

“Asnjë shqiptar i Kosovës në këtë vend nuk është arrestuar dhe nuk mund të arrestohet për veprimtari të UCK, për veprimtari clirimtare të Kosovës, kjo  kurrën e kurrës. Për të tjera, në qoftë se ti shkon në diskotekë ta zëmë, nuk është rasti por po e maar si shembull, dhe bënë grushta e tjera tjera, aty rendi është rend, por për veprimtari politike asnjë kurrë”.

Dhe akuza tjetër, që siç dukej Thaçi e kishte të rezervuar që moti për Berishën, ishte se ky ka strehuar Arkanin dhe kishte pasur bashkëpunim tregtar me Sllobodan Millosheviqin.

“Nuk kam zhvilluar kurrë takim me asnjë serb, asnjëherë përveç takimeve ndërkombëtarë”, ka thënë mbrëmë Berisha.

“Ky është trillim i kuzhinës të shërbimeve sekrete serbo-shqiptare. Pse do strehohej Arkani, ai vriste e priste në Kosovë pse duhej të strehohej Arkani?”, është arsyetuar tutje Berisha.

Presidenti Thaci fundjavën e kaluar kur vendosi të publikonte listën e fajeve, që sipas tij, kishte Berisha ndaj kosovarëve, përmendi edhe raportet e këtij të fundit me ish-Presidentin Rugova.

Berisha tha se admironte Rugovën dhe se kishte raporte të shkëlqyera me të. Thotë se kishte vetëm një vërejtje për ish-Presidentin e Kosovës: Të ishte më radikalë kundër Serbisë.

Dhe, për t’ia kthyer bumerang Thacit, Berisha tha se e ka konsideruar Rugovën si më trimin sepse asnjëherë nuk u tërhoq nga qëllimet e tij. /Express/

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0