Pengesa që ndan LDK-në me Vetëvendosjen

Pengesa që ndan LDK-në me Vetëvendosjen

Posti i kryeministrit duket se do të jetë pengesa kryesore që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje të lidhin koalicion qoftë parazgjedhor, qoftë paszgjedhor për ta formuar qeverinë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që pritet të mbahen së shpejti.

Madje takimet në mes tyre, të organizuara, deri më tash po konsiderohen sa për sy e faqe, shkruan “Zëri”.

Kërkesës së Vetëvendosjes për koalicion parazgjedhor ende nuk i është përgjigjur pozitivisht Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse së shpejti pritet që vendi të shkojë në zgjedhje. Edhe pse kanë zhvilluar disa takime dhe kanë krijuar edhe grupe punuese sa i përket kësaj çështjeje, LDK-ja dhe LVV-ja nuk po arrijnë të bien në ujdi për ndarjen e pozitave në rast të triumfit të tyre në zgjedhjet e reja.

Pozita e kryeministrit po vlerësohet se do të jetë ajo që do t’i ndajë rrugët e këtyre partive si në koalicion parazgjedhor, po ashtu edhe në atë paszgjedhor.

Madje takimet që aktualisht janë duke i zhvilluar këto parti po vlerësohen të mos jenë serioze. Megjithatë, nga LDK-ja dhe nga Vetëvendosja nuk e pranojnë se pozita e kryeministrit mund t’i bashkojë ose mund t’i ndajë. Ata shprehen se parimet, ideologjia dhe profilet e tyre majtiste dhe djathtiste janë pengesat kryesore që do të jenë të vështira për t’u harmonizuar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: