Pasardhësi i O’Connell: Ka shërbyer kohë të gjatë në zonat e konfliktit, tash vjen në Kosovë

Pasardhësi i O’Connell: Ka shërbyer kohë të gjatë në zonat e konfliktit, tash vjen në Kosovë

Nicholas Abbott është emëruar ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur ambasadori i tanishëm, Ruairí O’Connell, i cili sot përfundoi mandatin e tij disa vjeçar në Kosovë.

Ai tha se Nicholas Abbott, është diplomat me përvojë dhe i aftë.

Por kush është Nicholas Abbott?

Ai është i martuar dhe ka dy vajza, i specializuar në fushën e diplomacisë, Abbott ka shërbyer në misione të ndryshme diplomatike që nga viti 1986.

Ndërsa, nga viti 2010 deri në vitin 2012 ai ishte këshilltar politik në Bagdad, për të vazhduar pastaj një vit si Zëvendës-shef në Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë të Britanisë në Drejtorinë e Evropës, Departamenti i Mesdheut.

Nga viti 2013 deri në 2014, Abbott ka shërbyer përsëri në Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë si Shef i Ekipit për Sirinë, në Njësinë për Stabilizim – ndërsa tërë vitin 2014 ka shërbyer në po të njëjtën zyrë si Zëvendësshef në departamentin e konflikteve.

Nga viti 2014 deri në vitin 2015, Abbott ka qenë zëvendësshef i Misionit të Britanisë në Algjeri.

Për 3 vite me radhë, nga viti 2015 deri në vitin 2018 – Abbott ishte Drejtor i Programit në Departamentin Qendror të Operacioneve – Drejtoria për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Ndërsa në vitin e fundit 2018 – 2019, Abbott është fokusuar në një trajnim gjuhësor me kohë të plotë në gjuhën shqipe.

Abbott do të marrë detyrën e tij të re si ambasador i Britanisë në Kosovë gjatë muajit shtator.

Ndërsa, ambasadori në shkuarje i Britanisë, Ruari O’Connell ka porositur kosovarët t’i urojnë ngrohtësi dhe miqësi ambasadorit të ri.

“Kudo që të shkoj, gjithmonë do të jem mik i Kosovës. Kam vetëm një kërkesë miqësore, nëse ma lejoni. Pasardhësi im, Nicholas Abbott, është diplomat me përvojë dhe i aftë”.

“Ju lutem që edhe atij dhe familjes së tij t’u jepni mirëseardhjen e ngrohtë dhe miqësinë që ma falët mua. Jam i sigurt se së shpejti do të bëheni miq të ngushtë”,ka shkruar në Facebook O’Connell.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: