Pas dështimit, Pacolli flet nga Dubai: Serbia e pamëshirshme

Pas dështimit, Pacolli flet nga Dubai: Serbia e pamëshirshme

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka folur për dështimin që Kosova të bëhet pjesë e INTERPOL-it. Pacolli ka thënë se është bërë luftë agresive nga Serbia, ndërsa në asnjë moment nuk e konsideron dështim të diplomacisë kosovare që të arrijë të anëtarësohet.
Pacolli duket se ka pritur mëshirën e Serbisë, pasi nga Dubai fajin për dështimin që Kosova të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL, ia veshi luftës së ashpër që Serbia bëri kundër anëtarësimit të Kosovës.

“Serbia bëri një luftë të pamëshirshme me gjitha mjetet kundër interesimit të Kosovës na mbetet të jemi konstruktivë, ne duhet të krijojmë perspektivë për qytetarët, t’ua heqim barrë të rinjve tani e të ecin përpara, konsideroj se duhet të ndalemi, të angazhohemi më tepër, të arrijmë deri te paqja me Serbinë dhe çdo gjë do jetë më e lehtë”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se do të provojnë ta marrin listën e shteteve që votuan sot në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it që u mbajt në Dubai, e tutje të punohet me shtete në bazë të votave të tyre.

Për dështimin e Kosovës në reagimet e shumta u fajësua diplomacia kosovare e cila dështoi ta mposhtë antifushatën që po bënte Serbia për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Kosova dështoi të pranohet në INTERPOL duke marrë 76 vota pro dhe 56 kundër në rundin e parë. Ndërsa në rundin e dytë pas 20 minutave, mori 65 vota pro dhe 51 kundër. /Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0