Paralajmërimi i ekspertit kinez për Europën: Përgatituni, ja sa mund të zgjasë virusi i ri

Paralajmërimi i ekspertit kinez për Europën: Përgatituni, ja sa mund të zgjasë virusi i ri

Një ekspert kinez për sëmundjet infektive tha se Europa duhet të heqë dorë nga ideja që pandemia e Covid-19 do të përfundojë së shpejti dhe në vend të kësaj të përgatitet për një betejë që mund të zgjasë deri në dy vjet.

Paralajmërimi – nga Zhang Wenhong, kreu i ekipit të ekspertëve klinikë të Shangait për Covid-19, erdhi ndërsa vendet evropiane, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Gjermaninë, po përjetojnë rritje të theksuara të numrit të infeksioneve dhe vdekjeve, ndërsa Kina po punon për të mbajtur jashtë rasteve të importuara, pasi raportoi vetëm një rast të ri vendas në katër ditët e kaluara.

“Do të ishte krejt normale nëse virusi vjen dhe shkon dhe zgjat një ose dy vjet,” tha Zhang gjatë një videokonferencë të organizuar nga konsullata kineze në qytetin gjerman Dofsseldorf.

“Unë mund t’ju them tani, harrojeni idenë se pandemia do të marrë fund në Evropë në të ardhmen e afërt,” i tha ai audiencës, kryesisht studentë kinezë.

Zhang, i cili është gjithashtu drejtor i departamentit të sëmundjeve infektive në Spitalin Huashan të Universitetit Fudan në Shanghai, parashikoi më herët se epidemia brenda Kinës do të arrinte kulmin midis prillit dhe qershorit, para se të binte përsëri në verë, duke u rikthyer në mënyrë sporadike përgjatë vjeshtës dhe dimrit, dhe duke shënuar pikun përsëri, megjithëse ndoshta në një shkallë më të vogël, pranverën e ardhshme.

“Për të zgjidhur këtë shpërthim në një periudhë të shkurtër kohe, masat duhet të jenë jashtëzakonisht radikale,” tha Zhang, duke shtuar se Kina ishte në gjendje të impononte bllokime të përhapura falë faktit që shpërthimi fillestar përkoi me festën e Vitit të Ri Lunar, kur shkollat ​​dhe bizneset ishin të mbyllura.

“Nëse vetëm e gjithë bota mund të ndalonte lëvizjen për katër javë, pandemia mund të ndalet,” tha ai. “Por unë nuk mund të imagjinoj një pezullim global. As në Gjermani dhe në Europë”.

Në disa nga zonat më të goditura të Europës, si në veri të Italisë, masa të rrepta si bllokime rrugësh, kufijsh dhe mbyllje shkollash janë vendosur tashmë.

Por pa veprime të njëkohshme në të gjithë botën, ato kombe që po imponojnë masa kontrolli do të mbeten të ekspozuara ndaj rrezikut të infeksioneve të importuara, si Kina, tha Zhang.

Ndërsa sëmundja përhapet më gjerë dhe numri i vdekjeve rritet, qeveritë ka të ngjarë të ndryshojnë strategjitë e tyre dhe të vendosin masa të izolimit të një niveli më të lartë, tha ai.

“Unë shoh një prirje të mirë që qeveritë po bëhen gjithnjë e më proaktive,” tha ai.

“Për sa kohë që strategjitë e të gjitha vendeve bëhen gjithnjë e më të fuqishme, kontrolli efektiv i pandemisë është vetëm çështje kohe”, citohet ai nga “South China Morning Post”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0