Pandemia dhe mësimi online e kanë shtuar diskriminimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Pandemia dhe mësimi online e kanë shtuar diskriminimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Procesi i mësimit online ka shkaktuar vështirësi të shumta në procesin e mësimnxënies te fëmijët.

Mospërgatitja adekuate për vijim online, mungesa e pajisjeve adekuate dhe mungesa e koncentrimit kanë qenë vetëm disa nga shumë arsye që e kanë shndërruar mësimin online në Kosovë në një aktivitet jo edhe aq të suksesshëm. Megjithatë, për një kategori të fëmijëve, ky proces jo vetëm që ka qenë i pasuksesshëm, por edhe plotësisht i pamundur, shkruan Gazeta Scanner.

Fëmijët me nevoja të veçanta janë përballur me shumë vështirësi në përballje me këtë përvojë të re, e barrë dyfish më e rëndë ka qenë për prindërit e tyre, të cilët është dashur që specifikisht të merren me ta, në mënyrë që t’i përafrojnë sadopak me procesin e të nxënit.

Leonora Shabani – Bajraktari është bashkëthemeluese e OJQ-së, “Down Syndrome Kosova”, por aktivizmi e lidhja e saj me nevojat e kësaj kategorie të shoqërisë lindën shumë vite më parë, atëherë kur e kuptoi që po bëhej nënë e një vajze dhe se foshnja e saj kishte po këtë sindromë.

(Leonora Shabani – Bajraktari)

“Ende pa i mbushur unë 21 vite, Mjalta më bëri nane, nane e re plot jetë, e lumtur për vajzën time, nane me shumë ëndrra, edhe pse kur lindi Mjalta ishte gjendje lufte dhe unë isha refugjate në Durrës, gjithashtu Mjalta lindi edhe me  probleme shëndetësore  dhe më vonë e kuptova që ishte me Down Syndrome. Nuk ma ndalen hovin këto gjana, sepse e dija që kam vullnet dhe shumë dashni për vajzën time. Zoti dhe Mjalta më dhanë shumë energji, këtë energji që ma la Mjalta po e vazhdoj në të mirë të fëmijëve të tjerë, ato shërbime që i kanë munguar Mjaltës, t’i kenë fëmijët e tjerë. Po mos të isha nana e Mjaltës, nuk ma merr mendja që do isha kjo që jam, një nanë me shumë durim dhe dashni”, rrëfeu Leonora për Gazeta Scanner.

Ajo thotë se mangësia më e madha e shtetit tonë është që nuk ka krijuar ende mekanizma që do ta përmirësonin e do ta bënin më të lehtë jetën e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të prindërve të tyre.

“Qytetarët dinë më shumë për fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit janë vetëdijesuar dhe i dërgojnë fëmijët në shkolla, por institucionet vazhdojnë njëjtë, nuk e ofrojnë asnjë shërbim për këtë kategori të fëmijëve.

Mungesa e shërbimeve adekuate e ben më të vështirë jetën e një fëmije me nevoja të veçanta, si mësimdhënësi mbështetës, asistenti, mungesa e psikologëve në shkolla, mungesa e pedagogëve, mungesa e logopedëve, si dhe mungesa e punëtorëve socialë. Pastaj, vështirësi tjetër është mungesa e programeve adekuate, ku njëkohësisht do të përfitonin edhe prindërit: Programi i intervenimit të hershëm, Programi për Gjithëpërfshirje në Arsim, si dhe Programi për jetesë të pavarur”, konstatoi Leonora.

Përpos mungesës së profesionistëve adekuatë dhe programeve të duhura, ajo vë në pah edhe nivelin e lartë të diskriminimit, me të cilin përballen në baza ditore jo vetëm fëmijët me nevoja të veçanta, por të gjithë fëmijët në përgjithësi.

“Të gjithë fëmijët pa dallim janë të diskriminuar. Ata së pari diskriminohen nga institucionet, asnjëherë nuk ka qenë mirëqenia  e fëmijëve primare për institucionet tona, e paramendoni kur fëmija është edhe me nevoja të veçanta, me çfarë vështirësish ballafaqohen këta fëmijë dhe prindërit e tyre. Diskriminimin dhe paragjykimin e fillojnë te rriturit: prindër, mësimdhënës, edukatorë, etj., pastaj e vazhdojnë fëmijët duke mos i inkuadruar në lojeë dhe mësim”, shpjegoi tutje ajo, teksa shtoi se procesi i mësimit online vetëm se e ka rritur dozën e diskriminimit për këta fëmijë, që siç tregon statistikisht Leonora, 95% e fëmijëve nuk e kanë vijuar mësimin online bashkë me klasën, nuk janë ftuar fare të vijojnë mësimin online, nga të cilët ka që janë dëshpëruar dhe që tani refuzojnë të kthehen në shkollë. 

Megjithatë, jo çdo gjë po shkon keq. Tashmë ka filluar angazhimi i të rinjve vullnetarë nga mbarë Kosova, të cilët me vullnetin më të madh po vijojnë mësimin bashkë me fëmijët me nevoja të veçanta dhe u ndihmojnë në çdo vështirësi me të cilën përballen në procesin mësimor.

E një e tillë është edhe Laureta Kukaj, e cila tash e dy vite merret vullnetarisht me fëmijët me nevoja të veçanta, e këtë punë e bënë me dashurinë dhe përkujdesjen më të madhe.

(Laureta Kukaj)

Laureta tregoi që fëmijët me të cilët ka punuar e kanë bërë që ta shohë botën ndryshe, të jetë më humane dhe ta vlerësojë jetën më shumë.

“Arsyeja që jam bërë kaq aktive me njerëzit me nevoja të veçanta është sepse ata kanë nevojë për dashurinë tonë, për  punën tonë, për këshillat tona, ashtu si dhe unë kam shprehur gjithë dëshirën time të punoj me ta, të eksploroj botën imagjinare me ta, t’i kuptoj  vështirësitë e tyre. Të punosh me ta është një ndjenjë shumë e veçantë, që të shtynë ta duash jetën më shumë. Arsyeja që më shtyu të punoj është se gjendja shpirtërore dhe psikologjike e tyre është shumë e komplikuar, ku fëmija, por njëkohësisht edhe prindi e vuajnë të njëjtën gjë me ta, por të punosh me punë vullnetare është një çlirim i thellë i shpirtit”, u shpreh ajo.

Laureta, tani 20 vjeçare, tregoi se me fëmijët merret shumë kohë dhe realizon aktivitete të ndryshme, të cilat nuk e përfshijnë vetëm mësimin.

“Unë punën vullnetare e bëj qe 2 vite. Punoj me ta në mënyra të ndryshme, luajmë me ngjyra, këndojmë, luajmë me puzzle, por edhe dëgjojmë përralla. Deri më sot kam punuar me katër fëmijë në mënyre vullnetare. Është ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, të dhurojnë motiv për punë, të shprehin dashurinë në forma të ndryshme, si p.sh përqafimet spontane, ndonjë dhuratë e punuar me shumë dashuri, etj.”, tha ajo.

Laureta ka edhe një porosi për të gjithë qytetarët e kësaj shoqërie.

“Shpërndani sa më shumë pozitivitet e dashuri tek këta fëmijë,  dhurojuni atyre mundësinë që edhe ata të ndjehen njësoj sikurse fëmijët tjerë, mos i dalloni ata për shkak të problemit që  e kanë , sepse problemi i tyre nuk është  defekt. Kura më e madhe për ta është ngrohtësia që ne ua dhurojmë atyre”.

Përndryshe, në Kosovë jetojnë rreth 250.000 persona me nevoja të veçanta, apo rreth 10% e popullatës së tërësishme të vendit. /Fatbardhë Kiqina, Gazeta Scanner

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0