“Paga minimale në Kosovë po diskriminon punëtorët e sektorit privat”

“Paga minimale në Kosovë po diskriminon punëtorët e sektorit privat”

Paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë më e ulëta në rajon, madje ajo është edhe diskriminuese, andaj është e nevojshme që ajo të rritet.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit të Kosovës, me temën “Paga minimale në Kosovë”.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri tha se paga minimale në Kosovë është më e vogla në rajon dhe me një pagë të tillë fuqia blerëse ka rënë.

Ymeri theksoi se në sektorin publik pagat janë rritur tri herë, e në anën tjetër punëtorët që paguhen nga sektori privat janë harruar.

Ai ka theksuar përmes interpelancës së kërkuar nga PSD-ja do kërkojnë rritjen e pagës minimale dhe që korrigjimi i saj të bëhet për çdo vit.

“Paga minimale nuk duhet ta lë këtë grup larg dhe prapa grupeve të tjera duhet synuar që standardi i tyre i jetesës duhet të mos dallojë nga ai i shtresës së mesme të shoqërisë. Në interpelancën, e cila shpresoj do të mbahet këtë javë, qëllimi kryesor është që ta nxisim diskutimin për pagën minimale, në mënyrë që edhe t’i bëjmë ndryshimet e duhura në metodologjinë që është përdorur deri tash për ta përcaktuar pagën minimale, si dhe të kërkojmë që paga minimale të rritet dhe të korrigjohet në bazë të lëvizjeve në ekonominë e vendit e që do të duhej të korrigjohej së paku një herë në vit siç është e paraparë me ligjet aktuale në Kosovë, edhe pse aty nuk caktohet kohe se kur duhet të korrigjohet paga minimale”, tha Ymeri, raporton Kosovapress.

Edhe kryetari i BSPK-së, Avni Hajdini, u pajtua se me vendosjen e pagës minimale është bërë një diskriminim pasi që ajo është ndarë në bazë të moshës, dhe se që nga viti 2011 nuk është bërë asnjë hap pozitiv në këtë drejtim ndonëse gjendja e punëtorit në sektori privat është shumë e rëndë.

Hajdini u shpreh se në vitin 2017 si Këshilli Social Ekonomik ka marrë vendim unanim që paga minimale të rritet në 250 euro, por që një vendim i tillë ende nuk ka hyrë në fuqi, dhe fajtor për këtë sipas tij është Qeveria e Kosovës.

Ai u shpreh se subjektet politike po mendojnë për punëtorët vetëm në kohën e zgjedhjeve, ndërsa pas këtij procesi ata po harrohen. Kryetari i BSPK-së theksoi se me punëtorët nuk do të lejojë më marrëveshje në fushatat elektorale.

“Nuk ka lëvizje deri më tani edhe pse ne kemi potencuar dhe kemi kërkuar biseda me kryeministrin, dhe jemi takuar këtë çështje e kemi shtjelluar dhe për fat të keq ende nuk ka një rezultat pozitiv. Për fat të keq, ne si BSPK, si sindikata jemi të shqetësuar për punëtorët tanë, sepse punëtorët tanë merren për bazë vetëm para zgjedhjeve të partive politike, kurse pas zgjedhjeve askush s’e qan kokën për punëtorët dhe standardin e tyre”, ka thënë Hajdini.

Deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu tha se punëtorët që marrin pagë minimal janë diskriminuar në mënyrë të ndryshme pasi që atyre nuk u shkelen edhe të drejtat e tyre elementare që ua përcakton ligji i punës.

Kryetarja e Komisionit për shëndetësi po ashtu tha se do ta kushtëzojnë qeverisjen Haradinaj që ta marrë për bazë propozimin që paga minimale të jetë 250 euro.

“Po besoj që ne si Parti Socialdemokrate do ta shtyjmë këtë çështje përpara, normal që kërkojmë edhe mbështetje të subjekteve tjera që po besoj që në seancën e së nesërmes, ku do të jetë edhe interpelanca, do të dalë një rezolutë prej atij diskutimi dhe do ta obligojmë Qeverinë qoftë edhe me kushtëzime që nëse e dimë që Qeveria i ka numrat sikurse kemi vepruar deri më tani që ta kushtëzojmë Qeverinë që të merret me seriozitet dhe të merr për bazë propozimet e Këshillit Ekonomiko-Social që paga minimale të jetë 250 euro”, tha Baftiu.

Përkundër nevojës për ngritje të pagës minimale në Kosovë, Nora Jusufi nga Instituti GAP ka deklaruar se duhet të studiohet edhe pasojat e rritjes së saj.

Jusufi theksoi se ndërmarrjet e vogla nëse rritet paga minimale mund të hezitojnë të hyjnë në tregun e punës.

“Problemi me ekonominë informale që punojnë pa kontrata ose me kontrata tremujore nuk po përmendet këtu, kjo çështje mund të thellohet ende nëse rritet paga minimale pa ndonjë analizë të mirëfilltë, pastaj mund të çojë deri te largimi i punëtorëve prej punës dhe mbingarkimi i disa punëtorëve të tjerë. Nuk po flasim tash për korporata e mëdha, po flasim se Kosova ka shumë ndërmarrje të vogla”, ka thënë Jusufi.

Në këtë tryezë nga drejtori i Drejtorisë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv në Kuvend, Arben Loshi u prezantua edhe hulumtimi “Analizë Krahasuese për pagën minimale”, ku del se mbi 90 për qind e vendeve evropiane kanë të përcaktuar pagën minimale, 28 prej tyre e kanë të rregulluar me ligj, e 6 prej tyre me marrëveshje trepalëshe.

COMMENTS

DISQUS: 0