Pa rishikim të buxhetit punëtorët nuk do të mund t’i marrin 170 euro nga pakoja emergjente

Pa rishikim të buxhetit punëtorët nuk do të mund t’i marrin 170 euro nga pakoja emergjente

Pa u rishikuar buxheti nuk do të zbatohet asnjë masë e Pakos Emergjente Fiskale.

Po ashtu edhe masa “3a” e kësaj pakoje për punëtorët e sektorit privat që janë punonjës të bizneseve të prekura nga pandemia, nuk do të mund të marrin 170 euro për muajin maj.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari i ministres së Financave, Lulëzim Krasniqi.

Krasniqi beson se më së largu deri javën e ardhshme, Qeveria do ta procedojë në Kuvend ligjin për rishikim të buxhetit.

“Për aq sa ka pasur fonde në dispozicion janë ekzekutuar nga 170 euro. Pjesa tjetër pritet tash pas rishikimit të buxhetit. Në momentin që ndodhë rishikimi i buxhetit, ndahen fondet për mbulim të Pakos emergjente dhe do të vazhdojë menjëherë ekzekutimi i pagave tjera”, ka thënë Krasniqi për Kosova Press.

Këshilltari i ministres Hykmete Bajrami ka shtuar se mjete ka, por nuk ka dispozicion të caktuar prej nga mund të paguhen ato.

“Rishikimi i buxhetit mundëson që mjetet të nevojshme të sigurohen në linjat e duhura buxhetore. Më së largu deri në javën e ardhshëm do të procedohet në Kuvend rishikimi. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet rishikimi në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0