Osmani: Akuza e deputetit Zeka për vjedhje, shpifje e vazhdueshme

Osmani: Akuza e deputetit Zeka për vjedhje, shpifje e vazhdueshme

Gjatë seancës së sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për shpenzimet qeveritare nga fondi rezervë, deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka akuzuar Institutin Riinvest për, siç ka thënë ai, “vjedhjen e 1.8 milionë eurove” gjatë kohës sa Qeveria e Kosovës është udhëhequr nga kryeministri Agim Çeku.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Instituti Riinvest, gjegjësisht Kryetar i Bordit të Institutit, Sejdi Osmani, deklaratë të cilën ai e quajti “shpifje”.

“Deputeti M. Zeka, nga foltorja e Kuvendit vazhdon të shpif në tentim për të njollos reputacionin e Institutit Riinvest, duke keqpërdor në këtë mënyrë imunitetin që i njeh ligji në fuqi. Absurditet i llojit të vet: deputetit i lejohet që me mandatin e popullit, në emër të popullit, me pagë të majme nga paratë e popullit, të gënjejë, dhe të njollos, pa asnjë bazë, pa asnjë argument, me vite të tëra, dhe të mos jap llogari para drejtësisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ai e ka ripostuar një reagim të 16 marsit 2018, ndaj, siç thotë ai, “të njëjtës gënjeshtër që i përmenduri e përsërit edhe sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës”.

Sipas Osmanit, “Instituti Riinvest nuk ka pasur asnjë kontratë për fonde të DFID-së lidhur me Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës në vitet 2006-2007, e as më vonë e as më herët”.

“Riinvest asnjëherë nuk ka pasur kontratë me DFID në vlerat që përmend Milaim Zeka”, deklaroi Osmani.

Po e botojmë të plotë reagimin e Osmanit:

Deputeti M. Zeka, nga foltorja e Kuvendit vazhdon të shpif në tentim për të njollos reputacionin e Institutit Riinvest, duke keqpërdor në këtë mënyrë imunitetin që i njeh ligji në fuqi. Absurditet i llojit të vet: deputetit i lejohet që me mandatin e popullit, në emër të popullit, me pagë të majme nga parat e popullit, të gënjejë, dhe të njollos, pa asnjë bazë, pa asnjë argument, me vite të tëra, dhe të mos jap llogari para drejtësisë!!!

Në vijim po e ripostoj reagimin tim të 16 marsit 2018, ndaj të njëjtës gënjeshtër që i përmenduri e përsërit edhe sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

SQARIM PËR OPINION

16 mars 2018

Sot në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputeti Milaim Zeka, përndryshe me shumë akuza mbi vete, nga foltorja e Kuvendit deklaroi si në vijim: “E dimë edhe një diçka, në Qeverinë e Agim Çekut në vitin 2006-2007 Riinvesti i asaj kohe i ka vjedh dhe keqpërdor 1.8 milion euro para të DFID-it anglez dhe paret e SIDA-s suedeze që janë dhënë për planin strategjik zhvillimor në atë kohë të Qeverisë”

Për hir të informimit të drejtë të opinionin theksojmë se Institutit Riinvest nuk ka patur asnjë kontratë për fonde të DFID lidhur me Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës në vitet 2006-2007, e as më vonë e as më herët. Riinvest asnjëherë nuk ka patur kontratë me DFID në vlerat që përmend Milaim Zeka.

Së këndejmi, këtë deklaratë e konsiderojmë si shpifje dhe tentim për dëmtimin të reputacionit të Institutit Riinvest dhe keqpërdorim të foltores së Kuvendit dhe të imunitetit që i garanton ligji në fuqi.

Sejdi Osmani, Kryetar i Bordit të Institutit Riinvest

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0