Opozita thotë se vetëm zgjedhjet pengojnë Thaçin dhe idenë e tij për ndarje të Kosovës

Opozita thotë se vetëm zgjedhjet pengojnë Thaçin dhe idenë e tij për ndarje të Kosovës

Deklaratat e Zoran Zaevit për ekzistencën e një plani të hartuar nga Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiqi për ndarjen e Kosovës, kanë nxitur reagime në vend.

Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media, tha se planet e tilla të fshehta, ishin paralajmëruar, raporton KTV.

Ndër të tjerash u tha se presidenti Hashim Thaçi, po shtyn përpara agjendën e Moskës.

Ndërkaq, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë që ideja e ndarjes e cenon sovranitetin e Kosovës.

Për partitë opozitare, vetëm zgjedhjet do të mund ta pengonin Thaçin dhe idenë e ndarjes së Kosovës.

E, i pari i Ekzekutivit, Ramush Haradinaj, përmes Facebook-ut, ka thënë që Kosovën nuk do ta ndajë askush.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Jemi bashkë dhe jemi të fortë! Askush nuk do të na ndajë. Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Në anën tjetër, Kohavisioni ka pyetur për deklaratat e Zaevit edhe Zyrën e Presidentit Hashim Thaçi, por nuk ka marrë përgjigje.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, kishte bërë një bisedë me dy komedianë rusë, duke menduar se po bisedon me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.

Aty, Zaevi ka treguar për një plan që ka presidenti Hashim Thaçi me homologun e tij Aleksandar Vuçiq, që dhjetë komunat veriore t’i takojnë Serbisë dhe ato me shumicë shqiptare t’i bashkohen Kosovës.

Sipas Zaevit, kjo ide është përkrahur nga Rusia e Turqia, të cilat pastaj do ta shfrytëzonin këtë në rastin e tyre me Abkazinë dhe Krimenë, e Turqia për planet e saj me Qipron.

COMMENTS

WORDPRESS: 0