OKB: Një milion lloje gjallesash dhe bimësh rrezikohen nga zhdukja

OKB: Një milion lloje gjallesash dhe bimësh rrezikohen nga zhdukja

Sipas një raporti të hollësishëm të Kombeve të Bashkuara, faktori njeri po e vazhdon ndikimin shkatërrues ndaj botës bimore dhe shtazore në tokë, në ujë dhe në ajër. Në këtë raport thuhet se një milion lloje të ndryshme të gjallesave dhe bimëve janë të rrezikuara nga zhdukja.

Natyra është duke u shkatërruar me një ritëm të shpejtë që nuk është parë ndonjëherë dhe nevoja e njerëzimit për më shumë ushqim dhe energji është faktori kryesor që po ndikon në këtë shkatërrim.

Autorët e këtij hulumtimi thonë se kjo dukuri mund të luftohet, por për këtë duhet të merren hapa transformues në secilin aspekt të ndërveprimit të njerëzve me natyrën.

Hartimi i këtij raporti ka zgjatur tri vjet dhe është mbështetur në 15 mijë materiale referente. Ai është përgatitur nga Platforma Ndërqeveritare për Biodiversitet dhe Ekosisteme. Raporti përmban 1800 faqe.

Në përmbledhjen kushtuar hartuesve të politikave thuhet se Toka i ka vuajtur pasojat e veprimeve të njeriut gjatë tërë historisë së saj, porse ato janë bërë plagë të thella për planetin në pesëdhjetë vjetët e fundit.

Popullsia e botës është dyfishuar nga viti 1970, ekonomia botërore është katërfishuar, ndërsa tregtia ndërkombëtare është rritur dhjetë herë më shumë. Për të siguruar ushqim, veshmbathje dhe energji të mjaftueshme për botën, pyjet janë shkatërruar në masë të madhe, thuhet në këtë raport, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0